Bota Kush është Sergej Shoigu, “skifteri” i Putinit me nënë ukrainase, që ka...

Kush është Sergej Shoigu, “skifteri” i Putinit me nënë ukrainase, që ka në dorë butonin nuklear

Që lufta bërthamore të nisë nuk mjafton që Vladimir Putin ta autorizojë atë. Në fakt, duhet të jepen dhe dy miratime, një nga ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu dhe miratimi i dytë shefit të Shtabit, Valery Gerasimov. Procesi i aktivizimit të mbrojtjes atomike ruse është i qartë: Qoftë edhe sikur një nga tre kodet të anulohet, e gjithë procedura ndërpritet.

Kush është Sergei Shoigu?

Një nga tre kodet është në duart e Sergei Shoigu. Një personazh i veçantë, shumë besnik ndaj Putinit dhe ish-protagonist i pushtimit rus të Krimesë në 2014. Në atë rast, siç kujton Il Corriere della Sera, ministri citoi fjalinë e Aleksandrit III, ish-perandorit rus, i cili tha se “sovraniteti i Rusisë garantohet nga ushtria dhe flota e saj”. Përtej historisë, është e rëndësishme të nënvizohet se Shoigu është një bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit të Federatës Ruse. Madje duket se Putini mund të mbështetet tek ai në çdo moment.

Por kush është në të vërtetë Serghei Kuzugetovic Shoigu? Ai është 66 vjeç, ka lindur në Kadan, një qytet në Rusinë siberiane dhe është me etni Tuvane, një grup etnik me origjinë turke. Është diplomuar në inxhinieri ndërtimi nga Instituti Politeknik i Krasnoyarsk-ut dhe anëtar i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik midis 1988 dhe 1989.

Në vitin 1990 ai u transferua në Moskë, ku u emërua nënkryetar i Komitetit Shtetëror për Arkitekturë dhe Ndërtim. Edhe pse BRSS ra, karriera e tij sa vinte e ngrihej. Ai bëhet shef i Departamentit të Mbrojtjes Civile, i cili në vitin 1994 bëhet Ministria e Situatave Emergjente.

Në fakt, nga ai moment, Shoigu bëhet anëtar i qeverisë.

Në maj 2012 ai mori postin e guvernatorit të Oblastit të Moskës, por qëndroi në atë post vetëm për një muaj. Në fakt, në nëntor të po atij viti, vjen thirrja e Putinit. Shoigu emërohet Ministër i Mbrojtjes.

Skifteri i Putinit

Politikisht, Shoigu mund të konsiderohet si një skifter. Ai nuk ka qenë asnjëherë pjesë e radhëve të demokratëve apo reformistëve dhe i bindet çdo direktive të Putinit.

Pavarësisht se nëna e tij është ukrainase, ai nuk u përmbajt kur u urdhërua të organizonte stërvitjet e forcave ruse që u përdorën për të përgatitur pushtimin e Ukrainës.

Ai nuk u përmbajt as kur, disa ditë më parë, gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit, akuzoi Kievin se po bëhet “bërthamor”.

Njerëzit pranë Putinit konfirmojnë një marrëdhënie të shkëlqyer personale mes ministrit dhe presidentit Putin. Të dy kanë hobi të përbashkëta, mes tyre peshkimin, larjen në lumenjtë e mëdhenj të vendit dhe kalërimin me gjoks të zhveshur në Siberinë e ftohtë. Në fund të fundit, ishte kreu i Kremlinit ai që e promovoi në rrethin e tij të ngushtë. Shoigiu i ka qëndruar besnik liderit rus që atëherë. Dhe tani, me sugjerimin më të vogël nga Putini, ai mund të jetë gati të autorizojë hakmarrjen atomike.

Ndërsa Valery Gerasimov ka qenë në krye të ushtrisë ruse që nga viti 2012 që kur u emërua nga Putin.

Ai është strategu që krijoi ‘doktrinën Gerasimov’ e cila kombinon taktikat ekonomike, kulturore, informative dhe ushtarake për të arritur qëllimet strategjike për Rusinë.

Kjo përfshin veprimet ruse gjatë dy dekadave të fundit, si ndërhyrja në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së në vitin 2016 dhe ofertat e suksesshme të Rusisë për të pritur Lojërat Olimpike Dimërore 2014 dhe Kupën e Botës FIFA 2018.