Kryesore Vuçiç në pozitë të vështirë: Po na bëjnë kurth, Kosova sapo aplikoi...

Vuçiç në pozitë të vështirë: Po na bëjnë kurth, Kosova sapo aplikoi në NATO

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç në fjalim drejtuar vendit të tij për luftën në Ukrainë, ka folur një pozicion të vështirë ku ndodhet Beogradi.

Serbia edhe pse votoi pro rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara që dënoi veprimet e Rusisë në Ukrainë, është i vetmi evropian që nuk ka vënë sanksione kundër Rusisë.

“Serbia është ekstremisht në një situatë të vështirë dhe pak e kuptojnë pozicionin e Serbisë dhe popullit tonë”, tha ai.

Presidenti serb tha se presioni ndërkombëtar ndaj vendit të tij do të rritet, madje foli edhe për “kurthe”.

“Serbia po përballet me një presion të pashembullt dhe pak njerëz duan të dëgjojnë argumentet tona. Mendoj se ky është vetëm fillimi, presioni mbi vendin tonë do të jetë i madh në ditë e ardhshme”, tha presidenti serb.

“Pres që të ketë disa kurthe për Serbinë. Sapo kemi parë shqiptarët (Kosova) të aplikojnë për t’u bërë pjesë e NATO-s, pamë që e mbështeti Turqia”, shtoi Vuçiç.

Hapat e ardhshme sipas tij do të jenë për të përjashtuar Rusinë nga OKB. Kjo gjë tha Vuçiç do t’i hapë rrugë ndryshimit të Rezolutës 1244 për Kosovën.

Pas mbledhjes së Asamblesë së OKB, ku Serbia dënoi me votë pushtimin rus në Ukrainë, Vuçiç tha se pas përjashtimit të Rusisë, do të ketë një presion dhe ndaj Kinës.

“Ata planifikojnë të thërrasin një debat për përjashtimin e Rusisë nga OKB-ja duke u bazuar në nenin 6 të Kartës së OKB-së. Pas kësaj do të ketë presion mbi Kinën për të ndryshuar Rezolutën 1244 dhe pas ndryshimit të Rezolutës 1244 nuk do të kemi bazë ligjore që të thirremi në të drejtën ndërkombëtare për të ruajtur integritetin tonë territorial, siç e kemi sot. Dhe më pas do të pasojë njohja e pavarësisë së Kosovës nga ato shtete të NATO-s dhe BE-së që ende nuk e kanë bërë këtë”, tha Vuçiç.

Presidenti i Serbisë tha gjithashtu se Ministria e Jashtme ka përgatitur një notë proteste për Turqinë, pasi sipas tij, presidenti Erdogan deklaroi se Turqia do të avokojë për anëtarësimin e Kosovës në NATO.