Extra “Gjuetia amerikane”, ku po i zhvendosin superjahtet e tyre oligarkët rusë?

“Gjuetia amerikane”, ku po i zhvendosin superjahtet e tyre oligarkët rusë?

Të paktën pesë superjahte në pronësi të miliarderëve rusë u ankoruan ose lundruan në Maldive të mërkurën, një vend ishull në Oqeanin Indian që nuk ka marrëveshje ekstradimi me Shtetet e Bashkuara, treguan të dhënat e gjurmimit të anijeve.

Ardhja e anijeve në arkipelag në brigjet e Sri Lanka-s erdhi pas vendosjes së sanksioneve të ashpra perëndimore ndaj Rusisë, si pasojë e pushtimit të Ukrainës që filloi më 24 shkurt.

Superjahti Clio, në pronësi të Oleg Deripaska, pronar i gjigantit të aluminit Rusal të sanksionuar nga SHBA në vitin 2018, u ankorua pranë kryeqytetit Male, të mërkurën, sipas bazës së të dhënave MarineTraffic.

Titan, në pronësi të Alexander Abramov, bashkëthemelues i prodhuesit të çelikut Evraz, mbërriti më 28 shkurt.

Jahte të tjera në pronësi të miliarderëve rusë u panë duke lundruar në ujërat e Maldiveve të mërkurën, treguan të dhënat. Kjo përfshin Nirvana-n 88 metra në pronësi të rusit më të pasur, Vladimir Potanin.

Shumica e anijeve u ankoruan në portet e Lindjes së Mesme në fillim të këtij viti.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se do të ndërmarrin hapa të ashpër për të sekuestruar pronën e rusëve të sanksionuar.

“Javën e ardhshme, ne do të hapim një grup pune shumëpalësh transatlantik për të identifikuar, gjuajtur dhe ngrirë asetet e kompanive dhe oligarkëve rusë të sanksionuar – jahtet e tyre, vilat dhe mallrat e tjera të blera ilegalisht që ne mund t’i gjejmë dhe ngrijmë ligjërisht”, shkroi Shtëpia e Bardhë në Twitter.

Uashingtoni vendosi sanksione në vitin 2018 ndaj Deripaskës dhe rusëve të tjerë me ndikim për lidhjet e tyre me presidentin Vladimir Putin, pas ndërhyrjes së dyshuar ruse në zgjedhjet e SHBA-së të vitit 2016, të cilën Moska e mohon.