Kryeministri Edi Rama, në një lidhje direkte me emisionin Opinion, mbrëmjen e kësaj të enjteje tha se duhet të jemi të vetëdijshëm që jemi në luftë.
Kryeministri tha se kjo nuk na prek ushtarakisht, por nga pikëpamja e çmimeve.
“Askush nuk ishte përgatitur se do kishte luftë. Duhet të jemi të vetëdijshëm që jemi në luftë. Ne nuk jemi në frontin e parë, nuk na afekton ushtarakisht, por nga pikëpamja e çmimeve. Dua vetëm të shtoj se ajo që kurrë nuk e mendonim dhe nuk e mendonte askush ka ndodhur. Lufta është rikthyer në formën e vetë më të egër dhe në atë formë që gjithë kjo gjeneratë që udhëheq Europën nuk e kishte njohur. Nuk është një film dokumentar, nuk është një film artistik. Ju jeni aty në vijën e luftës, matanë ka njerëz që vriten, bombardohen, ndahen dhunshëm nga familja e tyre. Burrat duhet të rrinë për të luftuar ndërsa gratë, vajzat dhe të moshuarit kalojnë këtej. Kjo duhet të na bëjë të gjithëve të reflektojmë se ata njerëz që qëndrojnë atje për të luftuar që me gojën e Presidentit Zelensky thonë “E vetmja gjë që kemi për të humbur është liria” na mësojnë ta çmojmë lirinë që kemi dhe të bëjmë ç’mos të përmirësojmë cilësinë e gjërave që kemi e kurrsesi të mos i përçmojmë e i përbuzim se thua i kemi aty përgjithmonë”, tha Rama.