Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën sanksione të tjera ndaj disa oligarkëve rusë dhe zyrtarëve pranë presidentit Putin, të cilët vazhdojnë të mbështesin kreun e Kremlinit, pavarësisht sulmit brutal të tij ndaj Ukrainës.
Sipas Departamentit të Thesarit këta individë janë pasuruar në kurriz të popullit rus dhe anëtarët e familjeve të tyre janë vendosur në poste të larta drejtuese në Rusi. Të tjerë drejtojnë kompani të mëdha ruse dhe mendohet se janë përgjegjës për sigurimin e burimeve të nevojshme për të mbështetur sulmin që Vladimir Putin po kryen ndaj Ukrainës.
Personat e sanksionuar do të shkëputen nga sistemi financiar amerikan dhe pasuritë e tyre në Shtetet e Bashkuara do të ngrijnë ndërsa pronat do të bllokohen.
Mes emrave ndaj të cilëve janë vendosur sanksione është Alisher Burhanovich Usmanov, një nga individët më të pasur të Rusi dhe një aleat i ngushtë i Putin si dhe Dmitry Peskov, i cili në cilësinë e zëdhënësit të presidentit, shihet nga autoritetet amerikane si furnizuesi kryesor i propagandës së tij.
Personat dhe kompanitë e sanksionuara
- Nikolai Tokarev (bashkëshortja e tij Galina, vajza Mayya dhe dy kompanitë e tij të mëdha të pasurive të patundshme).
- Boris Rotenberg (bashkëshortja e tij Karina dhe djemtë e tij Roman dhe Boris)
- Arkady Rotenberg (djemtë e tij Pavel dhe Igor dhe vajza Liliya).
- Sergei Chemezov (bashkëshortja e tij Yekaterina, djali i tij Stanislav dhe vajza e tij Anastasiya).
- Igor Shuvalov (pesë kompanitë e tij, bashkëshortja e tij Olga, djali Evgeny dhe kompania e tij, si dhe vajza e tij Maria dhe një kompani e saj).
- Yevgeniy Prigozhin (tre kompanitë e tij, bashkëshortja Polina, vajza Lyubov dhe djali i tij Pavel).
- Dmitry Peskov, sekretari i Shtypit i Presidentit Putin.
- Alisher Usmanov.