Presidenti ukrainas Volodymy Zelensky përdori tone dramatike gjatë konferencës së tij ditore, mbi situatën e krijuar ditën e djeshme në centralin bërthamor të Zaporizhias, më të madhin në vend.
“Popull i Ukrainës, i mbijetuam një natë që mund të shënonte fundin e Ukrainës dhe Europës”, deklaroi presidenti, që shtoi se pasojat e një aksidenti të mundshëm në atë central, tashmë në kontroll të forcave ruse pas dyluftimeve të ashpra që shkaktuan edhe një zjarr tashmë të shuar.
Zelensky cilësoi Rusinë si një shtet terrorist që po rrezikonte “një akt të padëgjuar, me pasoja “gjashtë herë më të mëdha se në Çernobil”, duke iu drejtuar direkt populli trus. “Rrezatimet nuk e dinë ku është Rusia, nuk njohin kufij. Nuk u përballëm së bashku me aksidentin e vitit 1986? “, deklaroi ai.
Ndërkohë, Agjencia për Energjinë Atomike, IAEA, deklaroi se nuk rezulton një dëmtim i tillë që të çojë në një rrezik bërthamor nga ngjarja e djeshme, por që situata në Zaporizhia “është shumë e brishtë dhe e tensionuar”.
Zjarri në centralin bërthamor në Ukrainë, ushtria ruse e cilëson provokim të Kievit
Rusia e ka konsideruar provokim të Kievit luftimet pranë centralit bërthamor në Zaporizhzhia. Në një konferencë video, zëdhënësi i ministrisë ruse të Mbrojtjes, gjeneralmajor Igor Konashenkov tha se ukrainasit i vunë qëllimisht zjarrin ndërtesës së stërvitjes. Sipas tij, forcat ruse morën qytetin Enerhodar, centralin bërthamor të Zaporizhzhia dhe territorin pranë tij.
“Personeli ushtarak i Gardës Kombëtare të Ukrainës që ruante termocentralin, u largua nga objekti dhe u zhduk në një drejtim të panjohur përpara mbërritjes së njësive ruse”, tha ai. Objektet e stacionit dhe territori ngjitur u morën në ruajtje nga personeli ushtarak rus.
Konashenkov pretendoi se stafi teknik i uzinës vazhdoi punën në objekte, por forcat ukrainase tentuan një “provokim monstruoz”, në orët e hershme të mëngjesit të së premtes.
“Më 4 mars, rreth orës 02:00, ndërsa patrullonte një zonë të mbrojtur ngjitur me termocentralin bërthamor Zaporizhzhia, një patrullë e lëvizshme e Gardës Ruse, u sulmua nga një grup sabotues ukrainas. Zjarri nga armët u përhap nga dritaret e disa kateve të kompleksit stërvitor që ndodhet jashtë termocentralit”, tha Konashenkov.
Ai shtoi se brigadat e zjarrfikësve, mbërritën në ndërtesë dhe e shuan zjarrin.
“Në momentin e provokimit, asnjë nga punonjësit me kohë të plotë të centralit, nuk ndodhej në godinën e trajnimit. Aktualisht, stafi i TEC Zaporizhzhya (centrali bërthamor) vazhdon të punojë si zakonisht, mirëmban objektet e termocentralit dhe monitoron situatën radioaktive. Sfondi radioaktiv në zonën e termocentralit është normal”, theksoi Konashenkov.
Konashenkov pohoi se deklaratat dhe komunikimi i Zelenskit për incidentin nuk lënë asnjë dyshim. “Qëllimi i provokimit të regjimit të Kievit në një objekt bërthamor është një përpjekje për të akuzuar Rusinë për krijimin e një burimi kontaminimi radioaktiv”.
Qeveria ruse ka pretenduar në mënyrë rutinore dhe pa prova se qeveria ukrainase po organizon “provokime”, për të provokuar një përgjigje ushtarake nga qeveritë perëndimore.