Ramzan Kadyrov, lideri i Çeçenisë, i ka kërkuar Presidentit Vladimir Putin që të lëshojë të gjithë fuqinë ushtarake ruse në Ukrainë, për “ta mbyllur këtë çështje për një ose dy ditë”.
Kadyrov, i cili sundon republikën brenda Federatës Ruse, por mban edhe titullin e Gjeneral-Majorit në Gardën Kombëtare të Rusisë, raportohet të ketë dërguar rreth 10 mijë trupa nga shteti i tij në Ukrainë, për të ndihmuar rusët në pushtimin e vendit fqinj.
Në një audiomesazh për Putin, 45-vjeçari, të cilin Presidenti rus e konsideron si djalin që nuk pati kurrë, dëgjohet të thotë: “Shoku President, Shoku Komandant Suprem, e kam thënë shumë herë se jam shërbëtori juaj i përulur, jam gati të jap jetën për ju. Por nuk mund të shoh që luftëtarët e mi, luftëtarët tanë, duke vdekur. Po ju kërkoj me ngulm që të mbyllni sytë para gjithçkaje, dhe të na lejoni që ta përfundojmë këtë punë brenda një ose dy ditësh. Vetëm kjo do të mbrojë shtetin dhe popullin tonë, këtë e besoj fort”.
Mesazhi i tij publik është një shenjë e qartë që Rusia nuk e ka kapërdirë faktin që, kur ka kaluar më shumë se një javë nga nisja e pushtimit, nuk është marrë dot as Kievi dhe as Kharkivi, dy qytetet më të mëdha të Ukrainës. Luftëtarët çeçenë të Kadyrov raportohet të jenë dërguar në Ukrainë për të vrarë Presidentin Zelensky, i cili thuhet se i ka mbijetuar disa atentateve që nga nisja e luftimeve.
Kadyrov, i cili në të shkuarën ka luftuar kundër dhe në krah të Rusisë në luftërat në Çeçeni, njihet për brutalitetin dhe sundimin me dorë të hekurt në vendin e tij, ku mendohet se ka kryer edhe ekzekutime pa vendime gjykate.
“Të gjitha këto negociata janë të pavlera, sa më shumë që presim, aq më shumë sanksione prodhojnë”, thotë ai në mesazhin për Putin. “Gjithë ato dokumente, negociata, nuk janë të mira. Si luftëtar që jam, nuk mundem të shoh luftëtarët tanë të vriten nga ato djaj nazistë. Jam i sigurt që do të merrni vendimin e duhur për ta marrë plotësisht Ukrainën dhe për t’i shkatërruar. Populli i Ukrainës do të na mbështesë kundër këtyre djajve”.