Në ditën e nëntë të luftimeve të përgjakshme, inteligjenca ruse ka akuzuar shtetet anëtare të NATO-s se janë duke dërguar terroristë, siç i quan ajo, për të luftuar në Ukrainë.
Këto akuza u ngritën edhe më herët nga Rusia, madje edhe më të drejtpërdrejta para nisjes së konfliktit.
Më 18 shkurt, 6 ditë para bombardimit të Ukrainës, ministri i Jashtëm i Rusisë, akuzoi vendet e Ballkanit Perëndimor se kishin dërguar mercenarë për të luftuar në Ukrainë. “Kosova dhe pjesë të tjera të Ballkanit Perëndimor po bëhen baza të krimit. Atje ka terroristë, trafikantë droge. Është një bazë rekrutimi për mercenarë që marrin pjesë në konflikte të nxitura nga shtetet e Bashkuara. Ka informacione se mercenarë nga Kosova, Shqipëria dhe Bosnje-Hercegovina po rekrutohen për t’u dërguar në Donbas, dhe vende të tjera, në mënyrë që të çekuilibrojnë Rusinë. Po i verifikojmë këto informacione tani”, tha më 18 shkurt ministri i Jashtëm rus.
Pavarësisht këtyre pretendimeve, Presidenti i Ukrainës u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të botës që të shkojnë të luftojnë në Ukrainë, madje krijoi edhe një legjion për ata. Pas kësaj thirrje, shumë liderë europiane, mes të cilëve edhe Sekretarja e Jashtme e Britanisë, thanë se mbështesin qytetarët që duan të luftojnë kundër Rusisë në Ukrainë.