Sot mbyllet zyrtarisht fushata për zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit.
Të gjithë kandidatët e Partisë Socialiste, Partisë Demokratike dhe Shtëpisë së Lirisë, këtë të premte zhvilluan takimet e fundit me qytetarët për t’u kërkuar votën në 6 mars.
Shkodra, aty ku pritet të jetë edhe gara më e fortë, ishte edhe vendi ku janë zhvilluar mitingjet përmbyllëse.
Bardh Spahia i ‘Shtëpisë së Lirisë’, e mbylli fushatën bashkë me Sali Berishën me një koncert në pedonalen e qytetit, në ora 16:30 ku pjesëmarrës ishin edhe të gjithë deputetët mbështetës të Komisionit të Rithemelimit.
Në të njëjtën orë, kandidati i Partisë Demokratike Xhemal Bushati e mbylli fushatën në sheshin para Bashkisë Shkodër.
I pranishëm në mbylljen e fushatës ishte edhe kryedemokrati, Lulzim Basha, i cili pas Shkodrës do shkojë drejt Durrësit për të mbyllur edhe fushatën e Luan Hotit.
Në Shkodër në ora 17:00 ishte edhe kryeministri Ramai cili mori pjesë në mbylljen e fushatës së kandidates së Partisë Socialiste, Majlinda Angoni.
“Të gjitha bashkitë e tjera po ecin përpara, ku më shumë e ku më pak. Por të gjitha po ecin. Vetëm Shkodra jo! Shkodra ka ngecur pas për shkak edhe të kokëfortësisë së kryetares së Bashkisë”, tha Rama.
Në dallim nga Basha dhe Berisha, Edi Rama ka marrë pjesë shumë pak në këtë fushatë për 6 bashki.