Bota Moska i mbyll gojën mediave: 15 vjet burg kush flet për ‘luftë’...

Moska i mbyll gojën mediave: 15 vjet burg kush flet për ‘luftë’ me Ukrainën

Një studio televizive ruse

Parlamenti rus votoi unanimisht ligjin që ndëshkon me 15 vjet burg këdo që përhap informacione të rremë mbi sulmet e ushtrisë.

Ligji në fjalë e ndalon përdorimin e fjalëve “luftë në Ukrainë” dhe “pushtimin e trupave ruse”, pasi sipas Moskës, ajo që po ndodh është vetëm një operacion ushtarak.

Ofensiva kundër mediave që nuk i shohin gjërat në këndvështrimin e Kremlinit kërcënon t’u mbyllë gojën zërave të pavarur në Rusi. Në ditët e fundit, media ikonë si stacioni radiofonik “Jehona e Moskës” mbylli dyert. Ai ishte organi mediatik më kritik në Rusi.

“Jemi në një situatë thuajse luftarake dhe qeveria po aplikon hap pas hapi ligje kufizuese që prekin lirinë e shprehjes në tërësi dhe jo vetëm atë të gazetarëve. Por na duhet të pranojmë se e kemi harruar se si jetonim 30 vjet më parë, përpara Mikhail Gorbaçov. Në fakt, po kthehemi në ato kohë”, thotë Alexei Venediktov, kryeredaktor i radios “Ekho Moskvy”.

Dozhd, stacioni televiziv më i pavarur në Rusi, njoftoi të enjten se po ndërpriste operacionet pas kërcënimeve të autoriteteve për mbylljen e tij.

Stacioni, një nga mediat më kritike të mbetura në Rusi, mbajti një edicion lamtumire, me gazetarët që mbajtën fjalime dhe që më pas u panë teksa dilnin nga studioja.

Të premten, autoritetet ruse kufizuan aksesin në faqet e internetit të “BBC”, “Deutsche Welle”, “Meduza” dhe radios “Svoboda”. Nga ana e tyre, vendet perëndimore mbyllën “Russia Today” dhe “Sputnik” në kuadër të sanksioneve.