Presidenti i Rusisë Vladimir Putin tha të shtunën se çdo shtet që mendon të vendosë zonë ndalim-fluturimi mbi qiellin e Ukrainës do të konsiderohet nga Moska si bashkëpunëtor në luftë.
“Në çdo moment që ky vendim do të merret, do të konsiderohet nga ne si pjesëmarrje në një konflikt të armatosur, nuk ka rëndësi se cilës organizate i përkasin”, tha lideri rus gjatë një takimi me punonjësit e kompanisë ajrore Aeroflot të shtunën.
Vendosja e zonës së ndalim-fluturimit “do të sillte pasoja kolosale dhe katastrofike jo vetëm për Europën, por për të gjithë botën”, tha Putin.
Një ditë më parë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha se ministrat e Jashtëm të aleancës, të pranishëm në një takim të jashtëzakonshëm, diskutuan për mbylljen e hapësirës ajrore të Ukrainës, por ranë dakord që mbi qiellin e saj, nuk duhet të fluturojnë avionë të NATO-s.
Më herët, Presidenti rus tha se sanksionet e vendosura nga Perëndimi janë të ngjashme me shpalljen e luftës. Ai tha se Moska duhet të mbrojë popullsinë rusisht folëse në lindje të Ukrainës, si edhe interesat e veta.
Ai përsëriti edhe një herë deklaratat se Ukraina duhej demilitarizuar dhe denazifikuar. Gjithashtu, Putin tha se nuk kishte ndërmend të shpallte ligjin e luftës në Rusi.