Mbahen sot në Shqipëri zgjedhjet e pjesshme lokale. Shqiptarët në gjashtë bashki të vendit votojnë ditën e sotme për të zgjedhur kryebashkiakët e rinj.
Përkatësisht, që prej orës 07:00 ka nisur procesi i votimit në bashkitë Vorë, Rrogozhinë, Lushnjë, Shkodër, Dibër dhe Durrës, ku qytetarët do të zgjedhin mes kandidatëve të PS, PD e koalicionit ‘Shtëpia e Lirisë’. Të zgjedhurit në këto votime do të kenë një mandat 1-vjeçar.
KQZ ka bërë me dije se janë 10,134 zgjedhës që votojnë për herë të parë, ndërsa 135 shtetas nuk janë përfshirë në lista, për shkak të dekriminalizimit. Në të 6 bashkitë do të jenë 941 qendra votimit, që do të jenë të hapura nga ora 07:00-19:00.
Në të gjitha qendrat e votimit do të jetë identifikimi elektronik, ndërsa në Vorë votimi dhe numërimi do të jetë elektronik, ku rezultati do të bëhet me dije menjëherë pas zgjedhjeve.
Për pesë bashkitë e tjera, rezultati pritet të dalë brenda 48 orëve. Zgjedhjet e pjesshme vendore u dekretuan nga Presidenti Meta më 20 janar të këtij viti për shkak të vakancave të krijuara nga dekriminalizimi apo dorëheqjet.