Politika Berisha: Putin synon Adriatikun për të dominuar Mesdheun

Berisha: Putin synon Adriatikun për të dominuar Mesdheun

Ish-kryeministri Sali Berisha e konsideron Presidentin rus Vladimir Putin “tiranin më të rrezikshëm të të gjitha kohërave”.

Gjatë fjalimit të tij në Parlament për miratimin e një rezolute të Shqipërisë që dënon agresionin rus në Ukrainë, Berisha tha se ajo që po ndodh në shtetin ukrainas është de facto fillimi i luftës së tretë.

Por rezolutën e hartuar nga dy grupet parlamentare, Berisha e konsideron “si të shkruar nga një vend i Oqeanisë” dhe jo nga një vend evropian.

“Vlerësoj faktin që më së fundi parlamenti vendosi të diskutojë për një qëndrim ndaj aktit më të rëndë pas Luftës së II Botërore, fillimin de facto të luftës së tretë nga diktatori, nga një tiran i cili i parë në retrospektivë për shkak të arsenalit bërthamor është dhe tirani më i rrezikshëm i të gjitha kohëve, Vladimir Putin. Lufta që i shpalli Ukrainës filloi në vitin 2014 me pushtimin e Krimesë.

Personalisht në atë periudhë e kam denoncuar të njëjtë me aktin e Hitlerit dhe Brezhnjevit që pushtuan Çekosllovakinë. Por ky agresion nuk është thjesht ndaj një vendi të lirë. Ky është një agresion ndaj çdo vendi të lirë dhe të pavarur, nda lirisë së botës dhe diktatori i Kremlinit i aftë shpirtërisht të ndërmarrë çdo gjë kundër kësaj të fundit, duhet trajtuar vetëm si i tillë. Nuk e shoh në rezolutën që keni paraqitur sot, këtë dimension të rrezikshëm botëror të agresionit ndaj Ukrainës. Jo vetëm janë shkelur të gjitha kartat ndërkombëtare, është shkelur ndaj këtij kombi marrëveshja e Budapestit me të cilën Rusia zotohej se do garantonte kufijtë e këtij vendi.

Rezoluta është sikur të ishte shkruar nga një vend i Oqeanisë, i qeverisur nga autokratë dhe jo një vend evropian. Elementi i dytë madhor ka qenë qëndresa heroike e ukrainasve. Të shumtë ishin ata analistë që parashikonin rënien për disa orë apo brenda një kohe të shkurtër të Kievit, Ukrainës, por kjo nuk ndodhi se një popull vendosi të luftojë për vendin e vet. Ata luftojnë sot në Ukrainë për të gjithë Europën, për të gjithë botën e lirë. Mendoj se rezoluta duhet të shpreh në terma më të qarta këtë dimension të ri të qëndresës së Ukrainës dhe Presidentit të saj Zelenski”.

Berisha u shpreh se ambiciet e Presidentit rus Putin janë Deti Adriatik dhe Dardanelet për të dominuar Mesdheun.

“Ambiciet e Rusisë kanë qenë Dardanelet dhe Adriatiku. A mund të rrimë ne kaq të pa zë? Ai nuk synon asnjë territor tjetër më shumë se sa Detin Adriatik. Adriatiku dhe Dardanelet i ka jetike për të shkurtuar rrugë dhe dominuar në Mesdhe”, deklaroi Berisha.