Përshkallëzimi i protestave në të gjithë Shqipërinë ka detyruar kryeministrin Edi Rama të kërkojë një zgjidhje për uljen e çmimit të naftës.
E ndërsa deri dje deklaronte se shteti nuk ndërhynte dot, sot Rama ka premtuar uljen e çmimit të naftës.
Rama tha se qeveria ka vendosur të ndërhyjë përmes një akti normativ për të kontrolluar çmimin e karburantit në vend.
“Ne do të ndërhyjmë për të frenuar çdo tendencë spekulative me çmimin e naftës duke krijuar brenda 48 orësh me një akt normativ me fuqinë e ligjit në një kuadër veprimtarie të jashtëzakonshme një bord kombëtar të administrimit të karburantit ku furnizuesit e vendit do të jenë në bord me qeverinë për të bërë transparencë me çmimet, ku marzhi do përcaktohet në atë tavolinë dhe ku do flitet për të gjitha aspektet që nga grumbullimi, shfrytëzimi deri te pika fundore e shitjes deri në një moment të dytë sipas dinamikës së kësaj lufte. Nuk do lejojmë që në pikën e furnizimit të shfaqen çmime të pamiratuara më parë në bordin e administrimit të karburanti”, tha Rama.
Sakaq, kreu i qeverisë nuk i pranoi akuzat e protestueseve për hajdut dhe tha se në konferencën e dy ditëve më parë për energjinë elektrike ka folur me fakte.
“Nuk e di a e dëgjoni edhe ju një protestë që zhvillohet këtu poshtë dëgjoj thirrje; Rama ik, të shara me megafon nga individë që flasin në emër të popullit nuk kam problem se komunizmi ka rënë poshtë dhe nuk ka gjasë të vijë më. Unë kam vite që dëgjoj; Rama ik por këtë e vendos populli dhe para pak ditësh foli në 6 bashki, tha 5 herë; Rama rri”, tha Rama.
“Kush të shan pa prova ose e ka bërë vetë ose e bën vetë po të ketë gjë në dorë atë për të cilën të akuzon ty. Por kur më akuzojnë hajdut. Në jetën time nuk jam përkulur kurrë të fus dorën në xhepin e askujt dhe në varr leku nuk bën punë aq sa dheu. Në situata të tilla problemi themelor është bashkimi tek e vërteta dhe faktet. I kam ndjekur me vëmendje reagimet e komentet tuaja qysh pas konferencës së pardjeshme për shtyp kur folëm me fakte për thellimin e krizës dhe masat, ndërkohë që çmimi i naftës vazhdoi të ngrihej duke rritur valën e shqetësimit. Problemi është te rëndësia e madhe që ka bashkimi në situata të tilla”, tha Rama.