Në takimin e tij me furnizuesit e karburanteve, gjatë përmbylljes së fjalës së tij, përpara se t’ia kalonte ministres Belinda Balluku, kryeministri Rama tha se qeveria nuk do të vendosë çmime arbitrare sepse do të sillte falimentim të përgjithshëm.
Kryeministri theksoi se qeveria do të jetë transparente me çmimin në mënyrë të përditshme, jo për fitimin, por për vazhdimin normal të punës. Më tej, ai shpjegoi se kjo ishte dhe arsyeja e vizitës së tij në Emiratet e Bashkuara teksa iu kërkoi furnizuesve që të rezistojnë dhe të mos mendojnë për fitimin në këtë periudhë lufte.
Edi Rama: Kemi nisur intensivisht punën. Një nga arsyet kryesore pse vizituam Princin e kurorës së Emirateve të Bashkuara ishte pikërisht për të kërkuar një mundësi që ishte dhe arsyeja pse ministrja e Jashtme vizitoi Arabinë Saudite dhe pse ne vazhdojmë të jemi në kontakt me këto vende, që janë vende kyçe. Duke mos u zgjatur më shumë do të dëshiroja shumë që këtë gjë ta bëjmë bashkarisht me një sens patriotik që o sot o kurrë. Askush nga ju nuk rrezikon të mbetet pa bukë, askush nga ju nuk rrezikon të humbasë gjithçka ka fituar deri më sot, por gjithkush nga ju ka sot detyrimin për këtë periudhë kohe, nuk e dimë sa është, një muaj, dy muaj, tre se pastaj nëse zgjat përtej tre është histori komplet tjetër për të gjithë, jo thjesht për ju, nëse zgjat përtej tre është pastaj situatë komplet tjetër. Por për këtë periudhë duhet ta ndani mendjen që do rezistoni dhe nuk do fitoni. Besoj që kjo është një mundësi e artë që të shpëlaheni komplet nga çdo mëkat që është pjesë e jetës dhe të riktheheni fuqishëm pastaj, të larë komplet nga mëkatet dhe të vazhdoni të fitoni kur gjërat, me ndihmën e Zotit të normalizohen.