Në takimin e kësaj të premteje me furnizuesit e naftës, kryeministri Rama u shpreh se qeveria do të angazhohet për të krijuar rezervën e saj duke përdorur Albpetrolin për të pasur aktorin e vet për ditë të këqija.
“Ne si qeveri, ministria e Energjisë do të angazhohet për të krijuar rezervën e vetë, duke përdorur Albpetrolin për të pasur aktorin e vet për ditë të këqija. Ne do të jemi 100% në dispozicion për çdo ndihmë nëse problematika e furnizimit do të agravohet edhe ju duhet të jeni 100% për të qenë në lartësi të kësaj sfide. Mungojnë bombat, por pjesa tjetër është pasojë e kësaj lufte”.
Kryeministri kërkoi nga furnizuesit e naftës që të zgjedhin një përfaqësi me 5 persona për të marrë pjesë në bordin kombëtar të furnizimit me karburant.
“Do të duhet që brenda paradites së nesërme të na bëni me dije 5 përfaqësues për bordin kombëtar të furnizimit me karburant. Nesër pasdite do të mblidhet bordi. Si mbledhje e parë, mbledhja duhet të jetë me prezencë fizike, më pas, online. Të gjithëve në fund do t’u jepet çmimi që do të shfaqet në tabelë nga bordi. Nuk është as qëllimi dhe as prirja e qeverisë për të vendosur çmime, por ne do të garantojmë transparencën e plotë për çmimin”, tha Rama.