Rusia ka deklaruar se një luftë bërthamore është “e pamundur”, pasi një gjë e tillë do të ishte “fundi i qytetërimit”.
Drejtori i Departamentit të Kontrollit të Armëve në Ministrinë e Jashtme ruse, Igor Vishnevetski, tha për agjencinë e lajmeve TASS se lufta bërthamore nuk duhet të nisë, pavarësisht rrethanave.
“Një luftë e tillë është e pamundur. Mendoj se specialistët dhe ekspertët e dinë shumë mirë se cilat do të ishin pasojat e një lufte bërthamore. Nuk mund të ndodhë, nuk duhet lejuar, pavarësisht rrethanave”, u shpreh Vishnevetski.
Zyrtari i lartë rus shtoi më tej se 5 fuqitë bërthamore të globit (Rusia, Kina, SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca) po përgatisin një deklaratë të përbashkët, ku do të nënvizojnë se “lufta bërthamore është e papranueshme”.
Kjo deklaratë nga Rusia vjen kur kanë kaluar mbi dy javë nga pushtimi i Ukrainës dhe kur duket se lufta do të jetë e gjatë. Gjithsesi, mes planeve të fuqive të mëdha nuk hyn lufta bërthamore, të paktën për momentin.
Vetëm 9 vende në botë kanë armë bërthamore, por ato konsiderohen si mekanizma mbrojtëse që shpresohet të mos vihen kurrë në përdorim. Sipas Shoqatës së Kontrollit të Armëve, Rusia ka arsenalin më të madh në botë të kokave bërthamore, me 6250 të tilla. Shtetet e tjera që posedojnë këtë lloj arsenali bërthamor janë: Amerika me 5500, Kina 350, Franca 290, Anglia 225, Pakistani 165, India 160, Izraeli 90 dhe Koreja e Veriut 20.