Sot 99 vjeç, Henry Kissinger mbetet ende njëfarë orakulli në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Ish-sekretari amerikan i Shtetit ka këshilluar të gjithë ata që janë ulur në tryezën e presidentit në Shtëpinë e Bardhë që nga Kennedy e këtej. Një nga shkrimet e tij mbi Ukrainën, edhe pse i përket vitit 2014, është sërish aktual.
Shkrimi i botuar në Washington Post dhe i ribotuar tani nga Corriere della Sera përqendrohet te efektet e revolucionit që shpërtheu midis 2013 dhe 2014 pasi Presidenti Janukoviç refuzoi të nënshkruante një marrëveshje asociimi me BE-në, duke nënshkruar një tjetër me Rusinë, çka e detyroi përfundimisht të largohej për shkak të reagimit popullor.
Në mënyrë të përmbledhur, Kissinger shihte si zgjidhje:
1- Po për një Ukrainë të lidhur me Evropën
2- Jo Ukrainë në NATO
3- Ukraina e ‘finlandizuar’.
* * *
Për të zgjidhur krizën në Ukrainë, fillojeni nga fundi
Henry Kissinger
Diskutimi publik për Ukrainën lidhet me konfrontimin. Por, a e dimë se ku po shkojmë? Në jetën time kam parë katër luftëra të filluara me shumë entuziazëm dhe mbështetje publike. Të katrave nuk dinim si t’u jepnim fund dhe nga tre prej tyre u tërhoqëm në mënyrë të njëanshme. Politika vihet në provë për mënyrën si t’I japë fund, jo si ta fillojë.
Shumë shpesh, çështja e Ukrainës paraqitet si një përballje: nëse Ukraina bashkohet me Lindjen apo Perëndimin. Por nëse Ukraina dëshiron të mbijetojë dhe të lulëzojë, ajo nuk duhet të jetë posta ushtarake e asnjërës palë kundër tjetrës – ajo duhet të funksionojë si një urë lidhëse mes tyre.
Rusia duhet të pranojë se, nëse përpiqet të t’i japë me detyrim Ukrainës statusin e një vendit satelit, dhe në këtë mënyrë të zhvendosë sërish kufijtë e Rusisë, do ta dënonte Moskën të përsëriste historinë e saj të cikleve vetëpërmbushëse të presioneve reciproke me Evropën dhe Shtetet e Bashkuara.
Perëndimi duhet të kuptojë se për Rusinë, Ukraina nuk mund të jetë kurrë thjesht një vend i huaj. Historia ruse nisi në atë që quhej Kievan-Rus. Religjioni rus u përhap prej andej. Ukraina ka qenë pjesë e Rusisë për shekuj me radhë dhe historitë e tyre më parë kanë qenë të ndërthurura. Disa nga betejat më të rëndësishme për lirinë ruse, duke filluar me Betejën e Poltavës në 1709, u zhvilluan në tokën ukrainase. Flota e Detit të Zi – mjeti i Rusisë për të projektuar fuqinë në Mesdhe – bazohet me qira afatgjatë në Sevastopol, në Krime. Edhe disidentë të tillë të famshëm si Aleksandr Solzhenitsyn dhe Joseph Brodsky kanë këmbëngulur se Ukraina ishte një pjesë integrale e historisë ruse dhe, në të vërtetë, e Rusisë.
Bashkimi Evropian duhet të pranojë se vonesat e tij burokratike dhe nënshtrimi i elementit strategjik ndaj politikës së brendshme në negocimin e marrëdhënieve të Ukrainës me Evropën kontribuan në kthimin e një negociate në krizë. Politika e jashtme është arti i vendosjes së prioriteteve.
Ukrainasit janë elementi vendimtar. Ata jetojnë në një vend me histori komplekse dhe përbërje poliglote. Pjesa perëndimore u përfshi në Bashkimin Sovjetik në vitin 1939, kur Stalini dhe Hitleri ndanë plaçkën. Krimea, 60 për qind e popullsisë së së cilës janë rusë, u bë pjesë e Ukrainës vetëm në vitin 1954, kur Nikita Hrushovi, një ukrainas me origjinë, e dha atë si çmim me rastin e 300-vjetorit të një marrëveshjeje ruse me Kozakët. Perëndimi është kryesisht katolik; lindja kryesisht ortodokse ruse. Perëndimi flet ukrainisht; lindja flet kryesisht rusisht. Çdo përpjekje nga një krah i Ukrainës për të dominuar tjetrin – siç ka qenë modeli – do të çonte përfundimisht në luftë civile ose shpërbërje. Trajtimi i Ukrainës si pjesë e një konfrontimi Lindje-Perëndim do të shkatërronte për dekada çdo perspektivë për ta sjellë Rusinë dhe Perëndimin – veçanërisht Rusinë dhe Evropën – te një sistem ndërkombëtar bashkëpunues.
Ukraina ka qenë e pavarur për vetëm 23 vjet; më parë ka qenë nën një lloj sundimi të huaj që nga shekulli XIV. Nuk është për t’u habitur që udhëheqësit e saj nuk e kanë mësuar artin e kompromisit, aq më pak të perspektivës historike. Politika e Ukrainës pas pavarësisë tregon qartë se rrënja e problemit qëndron në përpjekjet e politikanëve ukrainas për të imponuar vullnetin e tyre në pjesët rebele të vendit, fillimisht nga një fraksion, pastaj nga tjetri. Ky është thelbi i konfliktit midis Viktor Janukoviçit dhe rivales së tij kryesore politike, Julia Timoshenko. Ata përfaqësojnë dy krahët e Ukrainës dhe nuk kanë qenë të gatshëm të ndajnë pushtetin. Një politikë e mençur e SHBA-së ndaj Ukrainës do të kërkonte një rrugë, e cila do të bënte të mundur që të dy pjesët e vendit të bashkëpunonin me njëra-tjetrën. Ne duhet të kërkojmë pajtim, jo dominim të një fraksioni.
Rusia dhe Perëndimi, dhe më së paku fraksionet e ndryshme në Ukrainë, nuk kanë vepruar sipas këtij parimi. Secili e ka përkeqësuar situatën. Rusia nuk do të ishte në gjendje të impononte një zgjidhje ushtarake pa u izoluar, në një kohë kur shumica e kufijve të saj tashmë janë të pasigurt. Për Perëndimin, demonizimi i Vladimir Putin nuk është politikë; është alibi për mungesën e njërës.
Putini duhet të kuptojë se, pavarësisht nga ankesat e tij, një politikë e imponimeve ushtarake do të prodhonte një tjetër Luftë të Ftohtë. Nga ana e tyre, Shtetet e Bashkuara duhet ta shmangin trajtimin e Rusisë fëmija që sillet keq dhe duhet t’i mësohen me durim rregullat e sjelljes të vendosura nga Uashingtoni. Putin është një strateg serioz – në premisat e historisë ruse. Të kuptuarit e vlerave dhe psikologjisë së SHBA-ve nuk është pika e tij e fortë. As të kuptuarit e historisë dhe psikologjisë ruse nuk ka qenë një pikë e fortë e politikëbërësve amerikanë.
Udhëheqësit e të gjitha palëve duhet të kthehen në shqyrtimin e rezultateve, jo të konkurrojnë në qëndrime. Këto janë pikat përmes të cilave shoh një rezultat të pajtueshëm me vlerat dhe interesat e sigurisë të të gjitha palëve:
1- Ukraina duhet të ketë të drejtën të zgjedhë lirisht asociacionet e saj ekonomike dhe politike, duke përfshirë edhe Evropën.
2- Ukraina nuk duhet të anëtarësohet në NATO, një gjë që e kam thënë edhe shtatë vjet më parë, kur kjo ide u hodh për herë të fundit.
3- Ukraina duhet të jetë e lirë të krijojë çdo qeveri të pajtueshme me vullnetin e shprehur të popullit të saj. Udhëheqësit e mençur ukrainas do të zgjedhin më pas një politikë pajtimi midis pjesëve të ndryshme të vendit të tyre. Ndërkombëtarisht, ata duhet të ndjekin një qëndrim të krahasueshëm me atë të Finlandës, një vend që nuk lë asnjë dyshim për pavarësinë e tij solide dhe bashkëpunon me Perëndimin në shumicën e fushave, por shmang me kujdes armiqësinë institucionale ndaj Rusisë.
4- Është e papajtueshme me rregullat e rendit botëror ekzistues që Rusia të aneksojë Krimenë. Por duhet të bëhet e mundur që marrëdhëniet e Krimesë me Ukrainën të vendosen në një bazë më pak të tensionuar. Për këtë qëllim, Rusia do duhej të njihte sovranitetin e Ukrainës mbi Krimenë. Ukraina duhet të përforcojë autonominë e Krimesë në zgjedhjet e mbajtura në prani të vëzhguesve ndërkombëtarë. Procesi do të duhet të përfshijë heqjen e çdo paqartësie në lidhje me statusin e Flotës së Detit të Zi në Sevastopol
Këto janë parime, jo receta. Njerëzit që e njohin rajonin do ta dinë se jo të gjitha i kënaqin të gjitha palët. Testi nuk është kënaqësi absolute, por pakënaqësi e balancuar. Nëse nuk arrihet një zgjidhje e bazuar në këto ose elemente të krahasueshme, devijimi drejt konfrontimit do të përshpejtohet. Koha për këtë do të vijë mjaft shpejt.