Kryesore “Kërkojmë një jetë me dinjitet”, përfundon dita e pestë e protestës kundër...

“Kërkojmë një jetë me dinjitet”, përfundon dita e pestë e protestës kundër rritjes së çmimeve

Ka përfunduar dita e pestë e protestës kundër rritjes së çmimeve.

Thirrjet e protestuesve kanë qenë të njëjta me ato të fillimit. “Nuk dorëzohemi”, “kërkojmë një jetë me dinjitet, ashtu siç e meritojmë”.

Personat që morën fjalën në shkallaren para kryeministrisë apeluan për unitet dhe për dalje masive në protesta.

“Ju jeni e vetmja shpresë e këtij vendi. Të ndryshëm, por me të njëjtin hall,” – u shprehën ata.

Në të gjithë ditët ka pasur qytetarë nga çdo grupmoshë.

Pedagogu Ervin Goci deklaroi se kryeministri Edi Rama po përdor luftën në Ukrainë për propagandë. Ai i bëri thirrje qytetarëve t’i bashkohen protestës me fatura në duar.

Folësit nga shoqëria civile po ashtu janë shprehur se plani me 7 pika i propozuar nga qeveria si Paketë e Rezistencës Sociale është thjesht një mashtrim i radhës.

“Plani me 7 pika është vetëm një mashtrim i radhës. Me planin e qeverisë nuk është shtuar asgjë”, u shprehën disa qytetarë.

Protesta ka pasur gjatë ditës së sotme edhe në qytete të tjera, në Korçë, Devoll, Kukës e Gjirokastër.

Protestuesit deklaruan se do të jenë çdo pasdite para Kryeministrisë në orën 17:00 derisa kërkesat e tyre të dëgjohen.