Bota Ndërpreu lajmet në TV shtetëror rus me pankartë kundër luftës, arrestohet gazetarja

Ndërpreu lajmet në TV shtetëror rus me pankartë kundër luftës, arrestohet gazetarja

Të hënën në Moskë, një punonjëse e stacionit televiziv shtetëror Channel One u shfaq në transmetimin e lajmeve duke protestuar kundër pushtimit rus të Ukrainës.

Ajo është Maria Ovsyannikova, një redaktore lajmesh që doli pas spikeres Ekaterina Andreeva me një tabelë që shkruante “NO WAR” në anglisht.

Ajo thoshte se mediat e kontrolluara nga shteti “po gënjenin” dhe bëri thirrje për t’i dhënë fund luftës.

Para protestës së saj, Ovsyannikova regjistroi një video që dënonte pushtimin, duke thënë se babai i saj është ukrainas dhe se i vjen keq që kontribuoi në mesazhet pro luftës të transmetuara në Channel One.

“Fatkeqësisht, kam kaluar shumë nga vitet e fundit duke punuar për Channel One, duke bërë propagandën e Kremlinit dhe jam thellësisht e turpëruar nga kjo,” – tha ajo, duke përfunduar fjalimin e saj duke inkurajuar edhe të tjerët të protestojnë.

Mësohet se Ovsyannikova është arrestuar nga policia dhe është e paqartë cili mund të jetë fati i saj. Autoritetet ruse kanë goditur si protestuesit ashtu edhe gazetarët e pavarur që nga pushtimi.

Më 4 mars, Vladimir Putin nënshkroi një ligj që kriminalizon demonstratat kundër luftës dhe transmetimin e “lajmeve të rreme” për Ukrainën që nuk është në përputhje me narrativën zyrtare të shtetit. Të dyja veprimet mund të penalizohen deri në 15 vjet burg.