Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy deklaroi mbrëmjen e së martës se Ukraina mund të heqë dorë për t’iu bashkuar aleancës ushtarake NATO dhe se populli ukrainas duhet ta kuptojë këtë.
Në lidhje me këto komente ka reaguar edhe kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, i cili tha për mediat britanike se kjo gjë nuk mund të ndodhë në këto momente.
“Të gjithë e kanë thënë vazhdimisht dhe ne ia kemi bërë të qartë edhe Putinit, se nuk ka asnjë mënyrë që Ukraina të bashkohet se shpejti me NATO-n”, u shpreh ai.
Por Johnson theksoi se ky është vendimi i Ukrainës dhe Presidentit të saj dhe se Britania e Madhe do t’i mbështesë.
Mos anëtarësimi i Ukrainës në NATO është një nga kërkesat e Rusisë. Aktualisht dy shtetet janë në negociata për armëpushim dhe Zelenskyy i konsideroi këto bisedime të fundit si “më realiste”.
Ukraina prej vitesh aspiron të futet në NATO por një veprim i tillë kundërshtohet nga Rusia e cila ka deklaruar se nuk dëshiron që kjo aleancë ushtarake të shtrihet pranë kufijve të saj.