Deputeti demokrat Ervis Salianji deklaroi se kryedemokrati Lulzim Basha duhet të dorëhiqet nga drejtimi i partisë. I ftuar në emisionin Publikisht në RTSH me gazetaren Blerta Tafani, Salianji u shpreh se as Berisha nuk e bën dot partinë fituese.
“Kryetari i partisë duhet të tërhiqet, por edhe Berisha duhet të tërhiqet. Berisha nuk e bën dot partinë fituese. Por unë sot nuk i kërkoj dot llogari Berishës sot por kryetarit të partisë të cilit i është dhënë besimi i partisë.
Kushdo që mendon se dhuna sjell në politikë ndonjë lloj përfitimi e ka gabim. Si përfaqësues politik them se PD nuk është dot fituese sepse doli e treta me Lulzim Bashën. Duhet të tërhiqet për të bërë afrimin. Dy nënkryetarë kanë dhënë dorëheqjen duke mbajtur përgjegjësitë që nuk i kanë”, tha Salianji.
Ai theksoi se duhet krijuar një komision me një grup njerëzish për të negociuar me pjesën e shkëputur të Partisë Demokratike. Salianji u shpreh se Basha duhet të heqë truku se nuk tërhiqet nëse nuk ikën edhe Berisha pasi ky i fundit është tashmë i përjashtuar.
“Nuk bëhet fjalë për asnjë interes personal. PD nuk ka shqetësim në grupin e saj që mund të zëvendësohet. Ajo që secili prej nesh ndjen përgjegjësi. Unë kam thënë që kulti i individit duhet të rrëzohet në parti. Unë i qëndroj parimeve. Mund të jesh edhe pakicë në një moment por ti lufton për parimet e tua. Kur del i treti në zgjedhje dhe thua jo po më bënë kurthe jo po kishte sfida. Prandaj je në krye të partisë që t’i kapërcesh. Unë mendoj që PD duhet të krijojë një nukël me një grup njerëzish që të negociojnë me pjesën e shkëputur të PD për të bërë bashkim. PD nuk bëhet dot fituese nëse Berisha nuk tërhiqet.
Basha duhet të tërhiqet. Nuk ka lidhje me Berishën. Berisha është i përjashtuar. Lulzim Basha duhet t’i hapë rrugë rritjes së Partisë Demokratike. Ky është truk që thonë unë nuk tërhiqem nëse nuk tërhiqet ai. Çfarë humb Shqipëria nëse largohet Lulzim Basha?! Është fyese deklarata që unë nuk tërhiqem nëse nuk ikën Berisha. Pse çfarë është PD, vetëm dy njerëz ka?”, u shpreh ai.