Janë shënuar hapa përpara në frontin e diplomacisë në konfliktin ukrainas.
“Negociatat me Ukrainën nuk janë të lehta, por është mundësia për një kompromis”, ka deklaruar ministri i Jashtëm rus, Serghei Lavrov, i cituar nga Tass.
Edhe Ukraina duket më optimiste në bisedimet për paqen me Rusinë. Në një fjalim mbrëmjen e së martës presidenti Volodymyr Zelensky sugjeroi se ishte shënuar progres.
“Qëndrimet në bisedime po fillojnë të duken më realiste”, deklaroi Zelensky. Megjithatë ai shtoi se nevojitet më shumë kohë në mënyrë që vendimet të jenë në interes të Ukrainës.
“Të gjithë duhet të punojnë përfshirë përfaqësuesit dhe delegacionin tonë për negociatat me Federatën Ruse. Është e vështirë, por e rëndësishme, pasi çdo luftë përfundon me një marrëveshje. Jam informuar se pozicionet mes negociatorëve po fillojnë të duken më realiste. Megjithatë duhet ende kohë në mënyrë që të merren vendime në interes të Ukrainës”, u shpreh Zelensky.
Negociatori i Kievit Mikhailo Podoljak tha se ka kundërshti thelbësore mes palëve, por se ekziston mundësi për kompromis. Ai tha së në tryezë ishin vënë çështje të përgjithshme që kanë të bëjnë me gjetjen e një zgjidhjeje diplomatike, caktimin e një armëpushimi dhe tërheqjen e trupave ruse nga territori i Ukrainës. Kushti kryesor i Moskës për t’i dhënë fund luftës, ai i neutralitetit ushtarak të Ukrainës, mori një përgjigje më të qartë ditën e martë, ku presidenti Zelensky tha se nuk pret që vendi t’ i bashkohet aleancës veri-atlantike.
E megjithatë nga Kremlini sinjalet që vijnë për mundësinë e një zgjidhje janë kontradiktore. Ndërsa ekipi negociues foli për mundësinë e rezultateve konkrete, presidenti Vladimir Putin akuzoi Kievin se nuk ishte serioz në angazhimin për zgjidhjen e konfliktit.
Nga ana tjetër, gjatë natës, Rusia ka goditur Odesan dhe Mariupol në jug, por edhe Kievin e Kharkivin.
Diskutimet mes palëve, të cilat prej dy ditësh zhvillohen me video konferencë, do të vijojnë edhe sot.