Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ndihet i befasuar nga pushtimi rus në Ukrainë, duke theksuar se homologu i tij rus, Vladimir Putin, ka “ndryshuar shumë”.
Në një intervistë për rrjetin amerikan Washington Examiner, Trump ka pohuar se ka keqkuptuar qëllimet e Vladimir Putinit duke e parë atë të dërgonte trupa në kufirin me Ukrainën. Trump pranoi se ai mendonte se Vladimir Putin po përpiqej të “negocionte” në këtë mënyrë dhe u befasua kur pushtoi Ukrainën.
Trump gjithashtu pretendoi se Putini kishte “ndryshuar shumë” dhe besonte se Rusia nuk do të kishte pushtuar Ukrainën nëse ai do vijonte në Shtëpinë e Bardhë. “Jam i befasuar. Mendova se ai ishte duke negociuar kur dërgoi trupat e tij në kufirin ukrainas. Mendova se ai po negocionte,” i tha ai Washington Examiner me telefon dje nga ferma e tij në Mar-a-Lago. “Mendova se ishte një mënyrë e vështirë, por e zgjuar për të negociuar”, shtoi Trump.
Trump, i cili dukej se kishte zhvilluar një marrëdhënie të ngushtë pune me Moskën gjatë presidencës së tij, theksoi se presidenti rus nuk kishte qenë i njëjtë që nga hera e fundit që të dy politikanët kishin punuar së bashku. “Unë mendoj se Vladimir Putin ka ndryshuar. Është shumë e trishtueshme për botën. Shumëçka ka ndryshuar”, tha miliarderi amerikan.
Trump është kritikuar gjerësisht për marrëdhënien e tij me Putinin, por kryesisht sepse ai e kishte shmangur me zell ta kritikonte atë pas pushtimit rus të Ukrainës. “Isha shumë, shumë i ashpër me Putinin. Në të njëjtën kohë, me të shkoja shumë mirë. Por unë shkova shumë mirë me shumicën e udhëheqësve të huaj.”