Pas ngritjes së bordit Kombëtar të Administrimit të Karburanteve, kryeministri Edi Rama ka njoftuar edhe ngritjen e një bordi të tillë për çmimet e ushqimeve.
Lajmin e dha gjatë një takimi me përfaqësues të bizneseve furnizuese të ushqimeve, duke paralajmëruar bizneset se kush do të luajë me çmimet do t’i konfiskohet prodhimi.
“Ajo që më ka shqetësuar që shumica ia hedh fajin pakicës, pakica shumicës në diskutimet për çmimet dhe për të mos pasur hedhje faji do futemi edhe ne për të krijuar bord të përbashkët për çmimet e ushqimeve të shportës dhe ky bord i përbashkët do të përbëhet nga përfaqësues të qeverisë dhe tuajt nga shumica e pakica dhe çmimet e ushqimeve bazë do të vendosen aty dhe askush nuk mund të vendosë çmime të ndryshme. Kush do t’i vendosë do t’i konfiskohet prodhimi me ligj dhe zakon dhe jo arbitraritet, nëse dikush do të lozë. Mbi vuajtjet e njerëzve askush nuk mund të fitojë dhe askush nuk ka të drejtë që ju të humbisni.
Kjo do të ndodhë me ligj përmes një akti normativ. Kush do të lozë me çmimet jashtë asaj që vendoset do të humbasë mallin. Sigurisht që do të keni dhe ju fitimin tuaj, por jo si e keni pasur pasi nuk ka sens në një kohë krize”, tha Rama.