Ekonomi Plani sekret i Putin: Aleanca me Kinën dhe Arabinë Saudite për naftën...

Plani sekret i Putin: Aleanca me Kinën dhe Arabinë Saudite për naftën dhe lëndët e para

Nga Ferruccio de Bortoli & Alessandro Giraudo -Corriere

Ka dhe një luftë tjetër, të heshtur dhe pa gjak, të cilën Putin-i e ka filluar tashmë prej disa kohësh. Dhe është ajo për kontrollin e tregjeve të mallrave për lëndët e para.

Por jo vetëm për gazin dhe naftën, të cilat me rritjen e burimeve të rinovueshme janë të destinuara të kenë, në perspektivë, një rëndësi më të vogël.

Loja e madhe gjeopolitike luhet mbi të gjitha me metalet strategjike dhe tokat e rralla. Në veçanti për lëndët e para thelbësore për tranzicionin e energjisë (p.sh. makina elektrike) dhe digjitale. Mjaft të mendoni që, në shtatëdhjetë vitet e fundit, zhvillimi industrial dhe globalizimi e kanë shumëzuar përdorimin dhe konsumin e metaleve me tetë.

Bujqësia

Për të mos përmendur lëndët e para bujqësore të nevojshme për të ushqyer tetë miliardë banorë të Tokës (dhjetë miliardë pritet të jenë deri në vitin 2050).

Ukraina, përtej frymëzimit nacionalist dhe thirrjeve të Nënës së Madhe Rusi, është një nga prodhueset më të fuqishme të grurit dhe titanit (përdorur gjerësisht në ndërtimin e aeroplanëve).

Perëndimi i Ukrainës është i pasur me drithëra. Lindja e saj me minierat e hekurit (Krivoj Rog, Kremenčug në Dnepr dhe Kerç).

“Tokat e zeza” janë të barabartë me pjellorinë e rajoneve të liqeneve të mëdha amerikane, Argjentinës, Uruguait. Të njohura dhe të lakmuara që në kohën e Perandorisë Romake.

Ringjallje

Pushtimi rus i Ukrainës ka diçka që ngjan më shumë me ato të shekullit të njëzetë. Një konflikt me armë të rënda, njësi të blinduara, një dislokim të madh këmbësorie.

Ne po përgatiteshim për përsosjen teknologjike të pajisjeve kibernetike dhe e gjetëm veten të zhytur në baltë, një parafrazë historikisht e përshtatshme në atë zonë, në fushatat më tradicionale të luftës.

Nëse “dimri i përgjithshëm” është gati të mbarojë, “lluca e baltës” pengon përdorimin e automjeteve me gomë, të nxjerra nga ajo llucë vetëm nga mjetet me zinxhirë, siç ndodhte dikur me kuajt dhe mushkat e Ushtrisë së Madhe të Napoleonit apo me panzerat gjermanë që çlironin kamionët Mercedes.

Dhe, paralelisht, kemi rizbuluar tragjikisht pjesën e ashpër fizike, të rëndë dhe të pistë të ekonomisë.

Çmimet e gazit dhe naftës në rritje

Ukraina, në këtë moment, është shumë pak virtuale. Është e gjitha prej hekuri dhe gjaku, sikur po na rrëfen për të Vassilj Grossman, autori i Jetës dhe Fatit.

Për shkrimtarin hebre ukrainas, totalitarizmat ishin të gjithë njësoj. Kronist që ndiqte pas Ushtrinë e Kuqe, ai u censurua dhe u persekutua në periudhën e pasluftës nga KGB-ja, shërbimi sekret sovjetik për të cilin punoi edhe Putin-i në moshën e tij të re.

Ndërsa të gjithë ne ditët e fundit ishim të fokusuar te rritja e çmimit të gazit dhe naftës, si dhe te tmerret e luftës, diçka ndoshta më shqetësuese po ndodhte në tregje të tjera.

Nikel dhe paladium

Në bursën e metaleve të Londrës, çmimi i nikelit, thelbësor për çelikun, u katërfishua brenda dy ditësh në mbi 100 mijë euro për ton.

Dhe një tendencë e ngjashme shpërthyese u regjistrua edhe për paladiumin, thelbësor për pastrimin e automjeteve përmes marmitave katalitikë, tani mbi 3 mijë e 400 dollarë për ons.

Rusia është prodhuesi dhe eksportuesi kryesor i paladiumit; nxjerrësi i dytë i nikelit, në Norilsk, në Siberinë e madhe Veriore.

Qëllimi kryesor i Kremlin-it është të riafirmojë rolin e Rusisë si një fuqi botërore dhe të zhvendosë kufijtë e saj strategjikë në perëndim, duke rivendosur zonën e influencës të BRSS-së. Përveç pengimit të zgjerimit të NATO-s dhe atë të Bashkimit Evropian.

Financimi

Nga ana tjetër, pa nevojën për të lëvizur trupa, por duke treguar fuqinë e saj nëpërmjet peshës së bërthamores, Moska është e përkushtuar të krijojë aleanca me prodhuesit kryesorë të lëndëve të para dhe me klientin më të madh, Kinën. E gjithë kjo në përpjekje për t’u çliruar nga statusi “nano” në ekonomi.

Me një popullsi prej rreth 150 milionë banorësh, për sa i përket Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), Rusia vlen më pak se Italia. Por ajo renditet e katërta në botë për shpenzimet ushtarake. Moska ka arsenalin e dytë më të madh bërthamor.

Rimëkëmbja e fortë pas valëve të para të pandemisë dhe vetë tranzicioni energjetik përbëjnë një mundësi unike për të rritur rolin e saj ekonomik.

Importet

Në të kaluarën nuk ka pasur kurrë një konflikt në të cilin agresori është financuar në fakt falë bumit të çmimeve të asaj që ai eksporton.

Si rezultat, bilanci tregtar rus do të jetë edhe më fitimprurës se 113.8 miliardë e regjistruar në vitin 2020.

Kjo edhe pas rënies së parashikuar të importeve. Plani i Putin-it është të krijojë një Shoqatë të Vendeve të Prodhuesve të Mallrave (CPCA), një lloj OPEC i shtrirë te prodhuesit kryesorë të lëndëve të para.

Negociatat

Negociata shumë konfidenciale janë duke u zhvilluar me Arabinë Saudite dhe me Katarin, një nga eksportuesit më të mëdhenj të gazit, shumë i favorizuar nga vendet perëndimore, dhe Italia në veçanti, për të zëvendësuar furnizimet me gaz rus.

Edhe Azerbajxhani, nga i cili arrin gazi që mbërrin në Pulia, në Melendugno, përmes Tap-it (Trans Adriatic Pipeline), është gjithashtu marrës i shumë kërkesave për dërgesa shtesë, por është i lidhur ngushtë me Moskën dhe është plotësisht, së bashku me të tjerë prodhuesit Kaukazianë, në sferën e ndikimit politik dhe ekonomik të Moskës. Dhe është pa dyshim funksional gjithashtu për projektin CPCA.

Kontakte të ngjashme janë duke u zhvilluar me Iranin. Në këtë rast influencë të madhe ka edhe ndikimi i rolit ushtarak të luajtur nga Putin-i në luftën e gjatë në Siri.

Tokat e rralla

Aktivizimi në Afrikë i kontraktorëve rusë të kompanisë Wagner ka gjithashtu qëllimin, jo dytësor, për të kontrolluar disa toka të rralla.

Është e panevojshme të thuhet më shumë për praninë ruse në Libi (ku ka rezerva të mëdha të naftës), së bashku me turqit, ndërmjetës strategjikë të tregut botëror të energjisë.

Tabloja plotësohet me faktin se monopoli apo oligopoli i disa lëndëve të para nuk mund të injorohet – dhe këtu shohim të gjithë rrezikun e mundshëm për botën perëndimore – nga një lidhje e ngushtë me klientin më të madh, pikërisht Kinën, e cila importon 25-30 për qind të të gjithë prodhimit botëror të lëndëve të para dhe përfaqëson 35 për qind të furnizimit global të mallrave të përpunuara.

Pekini

Një kontratë u nënshkrua midis Moskës dhe Pekinit për furnizimin e 10 miliardë metra kub gaz siberian në vit për tridhjetë vitet e ardhshme.

Marrëveshja përfundimtare u nënshkrua me rastin e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit. Dhe ndoshta kjo është edhe një nga arsyet pse fillimi i ndërhyrjes ushtarake priti përfundimin e garave olimpike.

Prej 2019 është aktiv tubacioni i gazit “Power of Siberia”.

Gazprom-i është duke planifikuar edhe dy të tjera me Kinën: i pari përmes Mongolisë dhe i dyti nga Lindja e Largët Ruse.

Pekini dëshiron të reduktojë përdorimin e qymyrit, i cili, në vitin 2020, përfaqësonte ende 57 për qind të prodhimit të tij të energjisë elektrike.

Materialet strategjike

Përgjatë Rrugës së Mëndafshit dhe nga disa porte të mëdha, si Vladivostok, Rusia e furnizon Kinën me lëndë të parë.

Drithërat nisen kryesisht nga Odessa. Pjesa më e vlefshme ka të bëjë me materialet strategjike, për të cilat Pekini do të ketë nevojë veçanërisht në të ardhmen, edhe pse kontrollon – siç pretendon Shërbimi Gjeologjik Amerikan – 60 për qind të tokave të rralla në botë.

Po flasim për platinin, paladium-in, rodium-in, kobalt-in, berilium-in, borat-in, hafnium-in, niobium-in, Tantal-in. Të panjohur për publikun e gjerë, por të përhapur në jetën e përditshme (si p.sh. duke filluar nga celularët tonë).

Pa neodymium-in, praseodymium-in dhe terbium-in, parqet eolike (të erës) nuk funksionojnë. Dhe pa europium-in, cerium-in dhe dysprosium-in, makinat elektrike nuk mund të funksionojnë.

Autorët: Ferruccio de Bortoli ka qenë drejtor i “Corriere della Sera” dy herë, nga viti 1997 në 2003 dhe nga 2009 në 2015, si dhe drejtor i “Il Sole 24 ORE” nga 2005 deri në 2009.

Alessandro Giraudo është profesor i financave ndërkombëtare në ISG në Paris, autor i “Historitë e jashtëzakonshme të lëndëve të para”