“Arrestimi i Elsa Lilës erdhi pasi policia italiane finalizoi një operacion për goditjen e një bande në fushën e narkotrafikut. Arrestimi i personit që furnizonte bandën me drogë, shtyu nisjen e hetimeve për pjesën tjetër”, deklaroi në “SOT” për Euroneës Albania gazetari italian Lorenzo Nicolini. Ai tha se përfshirja e një personi të njohur si në Shqipëri ashtu dhe në Itali i bën hetimet më të veçanta.
Nicolini specifikoi dhe akuzën që rëndon mbi Lilën. Ajo është arrestuar si pjesëtare e organizatës kriminale, me detyrën e menaxhimit të librit të kontabilitetit, ç’ka do të thotë se ajo mund të tërhiqej në çdo moment.
Kjo e bën pozicionin e Elsa Lilës më të lehtësuar se pjesa tjetër e organizatës.
Sipas gazetarit italian, pavarësisht përgjimeve, nuk përjashtohet mundësia që për shkak të situatës, Elsa Lila të ketë një gjykim të shkurtuar ose mund të lihet në arrest shtëpie gjatë kohës që do të presë gjykimin.
Ajo që nuk ka dalë ende në pah, sipas gazetarit është lidhja konkrete që ka pasur këngëtarja me trafikun e drogës, ndërsa është shumë e qartë lidhja e veçantë me kreun e organizatës. Raporti konkretisht nuk dihet ende.
Ndërkohë, mediat italiane kanë zbardhur përgjimet e bandës së trafikut të drogës, nga ku u arrestua dhe Elsa Lila.
Elsa Lila iu sugjeron anëtarëve që të krijojnë lidhje me qeverinë, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të shmangen kontrollet. Ajo madje tregon dhe një eksperiencë personale.
“Nuk më vjen njeri nga shteti për të më kontrolluar, më njohin, kam marrëdhënie të shkëlqyera. Një herë më dhanë një gjobë, por më thanë të mos e paguaja sepse nuk do ta kontrollonin. Sepse, këtu, si në Shqipëri duhet një mik/lidhje me shtetin, se çfarëdo qeverie të jesh do të shpëtosh, duhet të gjesh një rrugë pasi edhe këtu shiten shumë,” – shprehej këngëtarja.
Grupi përdorte celularë të koduar për të mos u përgjuar. Gjatë bisedave të publikuara nga Corriere raportohet se anëtarët e bandës kanë folur për një burg të ri që do të duhet të krijohet nëse e gjithë banda bie.