Ushtria ruse nuk ka mundur të përparojë në territorin ukrainas gjatë 24 orëve të fundit. Por, bombardimet nuk kanë munguar nga ana e ushtrisë ruse, kryesisht në qytetet Chernihiv, Kiev, Mariupol dhe në Lviv.
Sipas forcave ushtarake të Ukrainës, Rusia lëshoi 6 predha ndaj Lvivit mëngjesin e sotëm.
Me anë të një postimi në Facebook, ushtria ukrainase bën me dije se dy prej tyre janë kapur nga sistemet mbrojtëse.
Kryebashkiaku i Lvivit, Andriy Sadovyi, tha se predhat kanë shënjestruar një zonë ku riparoheshin avionët, duke shkatërruar një godinë. Nuk ka pasur viktima nga ky sulm.
Zhvillimet në orët e fundit:
– Të mbijetuarit filluan të dilnin nga rrënojat e një teatri në Mariupolit, i cili u bombardua nga forcat ruse. Numri i viktimave nuk dihet ende. Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës e quajti “përbindësh” pilotin rus që bombardoi teatrin.
– Të premten në mëngjes forcat ruse kanë goditur aeroportin e Lviv me gjashtë raketa. Dy nga to u shkatërruan nga sulmet kundërajrore nga qyteti në kufi me Poloninë.
– Këtë të premte presidenti i SHBA Joe Biden dhe udhëheqësi kinez Xi Jinping do të diskutojnë për pushtimin rus të Ukrainës, sipas një deklarate të Shtëpisë së Bardhë. Sekretari i shtypit i Shtëpisë së Bardhë tha se Biden do t’i fliste drejtpërdrejt XI-t për pasojat e mundshme të ofrimit të ndihmës ushtarake për Rusinë. Thirrja vjen pas pohimeve të fundit nga zyrtarë amerikanë se Rusia i ka kërkuar Kinës mbështetje ushtarake në Ukrainë. Pekini dhe Moska i kanë mohuar pretendimet.
– Rusia vazhdon të përballet me probleme logjistike në sulmet ndaj Ukrainës, tha të enjten Ministria e Mbrojtjes e Britanisë të Madhe.
-Vritet një shtetas amerikan. Amerikani i vrarë në Chernihiv të enjten është identifikuar si James Whitney Hill nga Minesota. Ai ishte në mesin e disa njerëzve të vrarë kur artileria ruse hapi zjarr ndaj civilëve në qytet, sipas zyrtarëve të qytetit.