Një 36-vjeçar nga Lezha, i dënuar në Shqipëri për vrasje, është arrestuar në Belgjikë, pas një operacioni të përbashkët mes policisë shqiptare dhe asaj belge.
Në pranga, në Bruksel, ka përfunduar Mariglen Përgjini, i lindur në Manati të Lezhës. Përgjini ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Apelit Shkodër e ka dënuar me 18 vjet burg, nga të cilët i kanë mbetur për të kryer edhe 10 vjet, 4 muaj dhe 27 ditë burg, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake”. Gjithashtu, ai është dënuar dhe nga Gjykata e Apelit Tiranë, me 3 vjet e 4 muaj burg, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Policia thotë se Përgjini përdorte një pasaportë të falsifikuar bullgare, me qëllim që t’i shmangej identifikimit nga shërbimet policore.
“Kapja e këtij shtetasi u bë falë bashkëpunimit 1-mujor ndërmjet njësive FAST Albania dhe FAST Belgjika, të cilat gjatë kësaj kohe kanë shkëmbyer informacione, në mënyrë të vazhdueshme, deri në kapjen dhe arrestimin e personit të kërkuar. Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Belgjikën, vijon punën për plotësimin e dokumentacionit, me qëllim ekstradimin e këtij shtetasi drejt Shqipërisë”, tha Policia e Shtetit.