Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar pas pyetjes ironike që i bëri sot Ambasada ruse në Tiranë.
“Sa (para) kërkoi zoti Berisha që as Gazpromi nuk mundi t’i mbledhë dot ato “shuma përrallore”?”, ishte pyetja e përfaqësisë ruse në Tiranë.
Reagimin e ambasadës ruse, Berisha e quan tipik “provokativ të stilit sovjetik të përfaqësuesve të diktatorit Putin”.
Ish-kryeministri vazhdon me sqarimet si më poshtë.
“1- Gazprom dhe qeveria ruse bënë çfarë kishin në dorë dhe përdorën të gjitha linjat korruptive të gazit të tyre për të bllokuar projektin e TAP.
2- Në javën e parë të gushtit të vitit 2011 një mik i imi biznesmen i njohur turk më solli nga presidenti i Gazprom mesazhin që vijon:
“në rast se unë do të hiqja dore nga projekti i TAP-it dhe të mbështesja projektin ITGI, i cili anashkalonte Shqipërinë dhe kalonte në trajektoren Turqi- Greqi-Itali dhe që furnizohej kryesisht me gaz rus, por dhe azer pala ruse ofronte:
-ndërtimin e një gazsjellësi Igumenicë-Vlorë me mundësi shtrirje edhe deri ne Shkodër.
-Investimin prej 4.1 miliardë dollarë në termocentrale të mëdha gazi në Seman.
-Këto do vendoseshin në një takim që do zhvillohej midis meje dhe presidentit të Gazpromit.
Oferta u refuzua preras për arsye politike nga ana ime. Nuk pranova investimet e Gazprom se besoja, dhe koha më dha të drejtë, se ato nuk ishin në interes të vendit tim.
Ju bëtë gjithçka që TAP të mos bëhej dhe dështuat!”, ishte përgjigja e Berishës.
Ambasada ruse ironizon Berishën për Gazpromin: Sa ishte “shuma përrallore e parave” që kërkove?