Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar Izraelin se duhet të zbatojë sanksionet ndërkombëtare të vendosura ndaj oligarkëve rusë, disa prej të cilëve tashmë kanë shtetësi të dyfishtë ruso-izraelite. Izraeli ka thënë se do të respektojë sanksionet ndërkombëtare kundër Rusisë dhe po përpiqet të adresojë këtë çështje, duke vazhduar të mirëpresë imigrimin e hebrenjve të pasur rusë. Nga Jeruzalemi raporton korrespondentja e VOA-s, Linda Gradstein.
Mediat izraelite i kanë ndjekur me vëmendje lëvizjet e avionit privat të oligarkut ruso-izraelit Roman Abramoviç, i cili është në listën e sanksioneve ndërkombëtare.
Zoti Abramoviç dhe oligarkët e tjerë kanë shtetësi të dyfishtë ruso-izraelite, kështu që qeveria izraelite nuk mund të pengojë hyrjen e tyre në Izrael, ose të konfiskojë pasuritë e tyre.
Por qeveria ka formuar një grup pune ku marrin pjesë disa agjenci ligjzbatuese, për të studiuar se si mund të zbatohen sanksionet për këta oligarkë.
“Izraeli nuk do të anashkalojë sanksionet e vendosura ndaj Rusisë nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore. Ministria e Punëve të Jashtme në Izrael po koordinon çështjen, së bashku me partnerët, duke përfshirë Bankën e Izraelit, Ministrinë e Financave, Ministrinë e Ekonomisë, Autoritetin e Aeroporteve, Ministrinë e Energjisë dhe të tjerë”, theksoi Yair Lapid, Ministër i Jashtëm i Izraelit.
Disa dhjetëra oligarkë rusë, që kanë dhe shtetësi izraelite kontribuojnë në mënyrë të vazhdueshme për kauzat filantropike izraelite.
Dy ditë para se të niste lufta në Ukrainë, drejtuesit që merren me menaxhimin e memorialit izraelit të Holokaustit “Yad Vashem” mirëpritën premtimin e oligarkut rus Abramoviç për të dhuruar miliona dollarë.
Por kur u vendosën sanksionet ndërkombëtare kundër tij, administrata e memorialit i ndërpreu marrëdhëniet.
Sanksionet u vendosën ndaj zotit Abramoviç për shkak të lidhjeve të tij të ngushta me presidentin rus, Vladimir Putin. Disa njerëz e cilësojnë atë si “portofoli i Putinit”. “Roman Abramovich është sot donatori i dytë më i madh për memorialin ‘Yad Vashem’. Ai gjithashtu ka kontribuar shumë për të luftuar antisemitizmin. Edhe me klubin e futbollit “Chelsea” ai ka bërë vepra të mira. Por pas vendosjes së sanksioneve, pak rëndësi ka nëse ata kanë bërë disa gjëra të mira. Ju duhet të shikoni nëse paratë e tyre janë vërtet të rëndësishme në luftën që ka nisur presidenti Putin kundër lirisë dhe demokracisë”, thotë Natan Sharansky, ish-ministër i Izraelit.
Përveç oligarkëve, Izraeli mund të bëhet një strehë për qindra mijëra rusë me prejardhje hebreje që duan të largohen nga vendi i tyre.
Eli Gervits, një avokat ruso-izraelit i imigracionit në Tel Aviv, thotë se ka marrë mijëra pyetje në dy javët e fundit.
“Drejt zyrës tonë janë nisur pyetje për dy çështje kryesore. E para, njerëzit duan të largohen nga Rusia, të largohen nga Moska dhe të mbërrijnë në Izrael. Dhe e dyta, njerëzit duan të sjellin në Izrael paratë e tyre, jo vetëm nga Rusia, por nga e gjithë bota”, thotë ai. Por transferimi i parave jashtë Rusisë mund të bëhet gjithnjë e më i vështirë, pas fjalës së presidentit të Ukrainës në Kongresin amerikan, ku kërkoi më shumë sanksione ndaj Rusisë.
Përveç kësaj presidenti Putin ka ndaluar transferimet e parave jashtë Rusisë për të forcuar ekonominë e tij që po shkatërrohet.