Harrojeni Apple Watch ose Fitbit, aplikacionet më të fundit për monitorimin e shëndetit. Tani shkencëtarët po zhvillojnë një bluzë që mund të ‘dëgjojë’ rrahjet e zemrës suaj dhe të monitorojë ritmin tuaj kardiak në kohë reale.
Është krijuar duke përdorur një ‘pëlhurë akustike’ që funksionon si një mikrofon, duke e kthyer fillimisht tingullin në dridhje mekanike. Copa e bluzës mund të zbulojë tiparet delikate të rrahjeve të zemrës së një përdoruesi, sipas inxhinierëve në kompanitë teknologjike MIT dhe Rhode Island School of Design (RISD) që e kanë zhvilluar këtë produkt. Nuk janë publikuar detaje se sa mund të kushtojë pasi ideja është ende në fazën e zhvillimit.
Fibra e pëlhurës është projektuar nga një material ‘piezoelektrik’ që prodhon një sinjal elektrik kur përkulet, duke siguruar një mjet për bluzën, për të kthyer dridhjet e zërit në sinjale elektrike.
“Kjo pëlhurë mund të ndërlidhet në mënyrë të padukshme me lëkurën e njeriut, duke u mundësuar përdoruesve të monitorojnë gjendjen e zemrës dhe të frymëmarrjes në një mënyrë të rehatshme, të vazhdueshme, në kohë reale dhe afatgjatë,” tha zhvilluesi kryesor i kompanisë MIT Wei Yan.
Ekipi i tij mori frymëzim nga sistemi i dëgjimit të njeriut për të krijuar një “vesh” prej pëlhure që do të ishte i butë, i qëndrueshëm, i rehatshëm dhe i aftë për të zbuluar tingullin. Tingulli udhëton nëpër ajër si valë të lehta presioni. Kur këto valë arrijnë në veshin tonë, një organ tredimensional i ndjeshëm dhe kompleks, membrana timpanike ose daullja e veshit, përdor një shtresë rrethore fibrash për të përkthyer valët e presionit në dridhje mekanike.
Yan, profesor në Universitetin Teknologjik Nanyang në Singapor, shtoi se duke mbajtur një veshje akustike, mund të flisni përmes saj për t’iu përgjigjur telefonatave dhe për të komunikuar me të tjerët.
“Është një xhaketë e lehtë më e lehtë se xhinsi”, tha bashkë autorja Elizabeth Meiklejohn, një studente e teknologjisë dhe informacionit që endi pëlhurën, duke përdorur një tezgjah standard. Hulumtimi është publikuar në revistën “Nature”.