Pothuajse çdo ditë presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i drejtohet në videokonferencë komunitetit ndërkombëtar, për t’i kërkuar mbështetje konkrete ndaj agresionit rus që po vijon nga pothuajse një muaj, duke shkatërruar pjesë të mirë të vendit.
Sot ishte radha e Izraelit, një vendi tejet domethënës për presidentin personalisht, si dhe historikisht për Ukrainën. Zelensky ka origjinë hebraike, një pjesë e familjes së tij është vrarë pikërisht për këtë arsyeje gjatë luftës së dytë botërore. Por kanë origjinë ukrainase edhe një pjesë e popullsisë në Izrael.
Sipas përllogaritjeve, janë rreth 1 milion e 200 mijë shtetasit që vijnë nga ish-Bashkimi Sovjetik, ku nuk mungojnë pjesa e madhe e komunitetit hebre me prejardhje nga qytete si Kiev dhe Odessa.
Tel Avivi zyrtar ka mbajtur një qëndrim disi të moderuar në kritikat ndaj Moskës, dhe Zelensky nuk e la pa nënvizuar, në fjalimin e tij të sotëm, që u dëgjua në Izrael nga qindra mijëra persona.
Duke cituar ish-kryeministren israeliane Golda Meir, e lindur pikërisht në Kiev, Zelensky deklaroi se “Ne duam të jetojmë. Komshinjtë tanë duan të na shohin të vdekur. Kjo lë shumë pak hapësirë për marrëveshje”.
Më pas ai bëri një paralelizëm të guximshëm, pothuajse të papranueshëm dhe tabu për izraelitët dhe komunitetin hebre në përgjithësi. “Historia jonë ka diçka të përbashkët me tuajën. Gjatë luftës së Dytë ishin nazistët që donin të shkatërronin hebrenjtë. Askush nuk do të harrojë Holokaustin, por dëgjoni sot fjalët e Kremlinit, përdorin të njëjtën terminologji si nazistët”.
Fjalë të ashpra që nuk i kanë pëlqyer disa ministrave të Tel Avivit. “Lufta është e tmerrshme por krahasimi me Holokaustin është tejet fyes”, deklaroi ministri i Komunikimit Yoaz Hendel, eksponent i të djathtës në qeveri. Por edhe LIKUD i Benjamin Nethaniahu kritikoi fjalët e presidentit ukrainas, duke i kujtuar atij se ndër ukrainasve pati edhe kolaboracionistë të nazistëve që ndihmuan në tentativën e shfarosjes masive të popullit hebre.