Mediat amerikane raportojnë se në Rusi kanë nisur arrestimet e zyrtarëve të lartë për atë që Kremlini po e sheh si dështim në nismën për të vënë nën kontroll Kievin. The Wall Street Journal raporton se një komandant i lartë i agjencisë së inteligjencës të Shërbimit Federal të Sigurisë të Rusisë është vënë në arrest shtëpie. Fjala është për gjeneralin Sergei Beseda, në krye të operacionit të FSB-së në Ukrainë.
WSJ i referohet një zyrtari amerikan anonim, sipas të cilit në Rusi kanë shpërthyer grindjet mes FSB dhe Ministrisë së Mbrojtjes Ruse, dy agjencitë kryesore qeveritare që kanë planifikuar pushtimin.
Ndërkohë, duke cituar burime ruse të lajmeve, The New York Times raporton për një tjetër zyrtar të FSB-së nën arrest shtëpie për të njëjtën arsye.
Drejtori i CIA-s, William Burns, i tha Kongresit në fillim të këtij muaji se Putin kishte planifikuar të pushtonte kryeqytetin ukrainas të Kievit brenda dy ditësh. Por një muaj pas kësaj nisme ushtarake, Kievi nuk është pushtuar ende.
Vëzhguesit amerikanë thonë se një skenar i tillë nuk është lajm i mirë për zyrtarët që rrethojnë Putinin.
“Kur bëhet fjalë për këtë njeri, është e qartë se kultura e ‘dikush është fajtor dhe do të paguajë’ është qartësisht ende funksionale”, tha për Wall Street Journal ish-zyrtari i CIA-s dhe Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Jeffrey Edmonds.
Por ndërkohë, në Rusi po rritet frika dhe pakënaqësia.
Studiuesi rus i historisë, Stephen Kotkin, thotë për New Yorker se Putin po merr “vetëm informacionin që ai dëshiron të dëgjojë. Në çdo rast, ai beson se është superior dhe më i zgjuar. Ky është problemi i despotizmit”, shtoi ai. “Kjo është arsyeja pse despotizmi, apo edhe thjesht autoritarizmi, është i gjithëfuqishëm dhe i brishtë në të njëjtën kohë.”