Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i bëri thirrje të dielën Izraelit që të “bëjë një zgjedhje” duke mbështetur në mënyrë efektive Ukrainën mbi Rusinë gjatë një video-konference përpara anëtarëve të Knesset-it, parlamentit izraelit.
Duke bërë krahasime midis sulmit rus dhe “zgjidhjes përfundimtare” – plani i Gjermanisë naziste për të shfarosur hebrenjtë – Zelensky vuri në dyshim hezitimin e Izraelit për t’i shitur Ukrainës sistemin e raketave ‘Iron Dome. “Të gjithë e dinë se sistemet tuaja të mbrojtjes raketore janë më të mirat; dhe se ju me siguri mund të ndihmoni njerëzit tanë, të shpëtoni jetën e ukrainasve, hebrenjve ukrainas”, tha ai.
Por çfarë është mbrojtja izraelite që duket sikur ka dalë nga “Star Wars”
“Iron Dome” është një mburojë ajrore e Izraelit kundër sulmeve me raketa dhe ka qenë në funksion operacional nga Forcat Ajrore izraelite që nga viti 2011.
Sistemi më i avancuar dhe “i zgjuar” i mbrojtjes raketore i zhvilluar nga qeveria e Tel Avivit mund të llogarisë saktësisht se ku do të godasë raketa armike. Nëse vlerësohet se do të godasë një objektiv kyç (objekte kritike, zonë banimi), lëshon një raketë për ta kapur atë.
Prodhuesi i “Iron Dome” është kompania publike “Rafael Defense Systems” me seli në Haifa. “Iron Dome” është një nga sistemet e mbrojtjes raketore që mbron Izraelin, duke formuar një “ombrellë” raketore me vlerë miliarda dollarë.
Çdo artileri konsiderohet e aftë për të mbrojtur një zonë urbane prej përafërsisht 150 kilometra katrorë. Rreth njëqind njerëz – pilotë, teknikë dhe personel sigurie – menaxhojnë çdo artileri. Një njësi artilerie përbëhet nga një njësi radari dhe tre lëshues, ku secili lëshues përmban 20 raketa interceptuese.
“Iron Dome” mund të zbulojë një sulm nga katër deri në 70 kilometra larg dhe më pas, pasi së pari diagnostikon rrjedhën e raketës dhe e “kyç” atë në sistem, lëshon një raketë interceptor që shkatërron raketat në ajër, sipas CNN.
Një sistem “Iron Dome” përbëhet nga tre pjesë kryesore: sistemi i radarit, sistemi i kontrollit të zjarrit dhe njësia e lëshimit të raketave, nga ku lëshohen raketat e prodhuara nga “Rafael”.
Kur zbulohet një raketë, radari monitoron kursin dhe shpejtësinë e tij dhe i transmeton të dhënat në sistemin e kontrollit të zjarrit përmes të cilit përcaktohet pika e mundshme e goditjes.
“Kippat Barzel” (“Kupola e Hekurt”), siç quhet sistemi në hebraisht, është përdorur për më shumë se dhjetë vjet nga Izraeli.
“Iron Dome” u krijua në vitin 2006, në konfliktin midis Izraelit dhe Hezbollahut, me bazë në Libanin jugor. Hezbollahu shkaktoi viktima të rënda dhe vrau dhjetëra izraelitë me lëshimet e tij masive të raketave (përllogaritur në 4,000) dhe, një vit më vonë, Izraeli porositi “Rafael Advanced Defense Systems” për të zhvilluar një sistem të mbrojtjes raketore.
“Iron Dome” zyrtarisht mori detyrën në fillim të vitit 2011, dhe u testua për herë të parë në prill të po atij viti.
Forcat e armatosura izraelite thonë se janë plotësisht të kënaqura me performancën e tij, pasi flasin për përgjime të suksesshme në 90% të sulmeve.