Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka folur sot për rikthimin e presidentit Ilir Meta në politikë.
Në studion e “Quo Vadis”, Kryemadhi theksoi se metodologjia që ndoqën Basha-Rama nuk mund të sjellë gjë tjetër veçse rikthimin e Metës në politikë.
“Mbas 25 prillit e kisha lënë të do largohesha. Basha më kërkonte të mos deklaroja se nuk do të jesh pjesë e qeverisë. Por Monikës vetëm për pushtet nuk i bëhet vonë. Se pushteti të vendos me shpatulla për muri, nuk të bën dot që ti të jesh në komunikim me njerëzit. Metodologjia që ndoqën të dy bashkë, Basha dhe Rama nuk mund të sjellë gjë tjetër veçse rikthimin e Metës në politikë. Një politikan që ka fituar të gjitha betejat ligjore”, tha Kryemadhi në emisionin “Quo Vadis”.
Sakaq, Kryemadhi ka ngritur akuza ndaj kreut të dorëhequr të PD, Lulzim Bashës.
Kryemadhi tha se Basha ka folur keq për të nëpër ambasadat e shteteve të ndryshme në Tiranë.
“Basha çfarë s’ka thënë për Kryemadhi në për ambasada të ndryshme, gjatë kohës së koalicionit. Gënjeshtar i paparë. Ishte totalisht i izoluar”, tha Kryemadhi.
Më tej ajo tha: “Jam e nënshtruar ndaj Ilir Metës sepse e ka njohur shumë mirë Bashën dhe e ka ditur shumë mirë që elementi i manipulimit ka qenë një nga pikat më të forta të tij”.
Kryemadhi ka deklaruar se dorëheqja e Lulzim Bashës nga drejtimi i PD ishte e pritshme, ndërsa thekson se “vota e lirë i jep zgjidhje situatës në të cilën gjendet PD”.
“Dorëheqja duhet parë në dy këndvështrime, e para çdo zvarritje e Bashës në krye të PD nuk e unifikonte PD. Vazhdoj të qëndroj stoike që vota e lirë i jep zgjidhje situatës në të cilën gjendet PD.
Nëse PD nuk do të jetë e plotë opozitarizmi do të jetë i vështirë. Nuk është ndonjë risi në jetën politike. E prisja sepse deputetë e PD nuk po e mbështesnin më. Rezultati i 6 marsit ishte shumë qesharak”, tha Kryemadhi në emisionin e “Quo Vadis” në Vizion+.
Kryemadhi tha se ai tashmë nuk kishte as mbështetjen e deputetëve, ndërsa theksoi se Bashës i duhet patjetër një post politik.
“Për interesa të tjera ekonomiko financiare ose shantazhime janë ato që e bëjnë Bashën që t’i duhet patjetër një post politik për të mos ecur nëpër proceduarat qoftë me çështjen belge qofte me atë Muzin në SHBA”, tha Kryemadhi.