Carlo Pellegatti, gazetari italian pranë Milanit, ka deklaruar në kanalin e tij në YouTube se Armando Broja mund të transferohej në klubin kuqezi, por sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës prishi gjithçka.
“Para se të niste lufta në Ukrainë, që nxiti qeverinë angleze të sanksiononte Roman Abramovich, Milani po monitoronte situatën në lidhje me sulmuesin Armando Broja. Po mendohej për një huazim. Në Shqipëri janë shumë të apasionuar pas futbollit italian. Për Brojën, Milani do të kishte qenë e rëndësishme. Lojtari vlerësohet 70 milionë euro.
Megjithatë, Milani është shumë i kujdesshëm në këtë temë, situata është bërë e ndërlikuar. Drejtuesit e kuqezinjve nuk mund të presin për zhvillimin e situatës te Chelsea. Për këtë arsye, drejtuesit e Milanit po mbyllin marrëveshjen me Divock Origi, sulmuesit të cilit i skadon kontrata me Liverpool”, thotë Pellegatti.
“Pra, çështjet gjeopolitike prishën një transferim të mundshëm të Armando Brojës te Milani”, shton gazetari italian.
Broja ka shënuar 6 gola në Premier League këtë sezon, duke spikatur si një nga futbollistët e rinj më të mirë të kampionatit anglez.