Kristjan Asllani dhe Giacomo Vrioni kanë dalë sot në konferencë për shtyp para ndeshjeve miqësore me Spanjën dhe Gjeorgjinë. Mesfushori, i cili po luan me Empolin rregullisht, është ftuar për herë të parë me kombëtaren kuqezi dhe sigurisht që ndihet shumë mirë. Ai flet për gjithçka ka ndodhur me të e sigurisht, kur vjen puna te merkato shmanget si profesionist.
“Jam shumë i lumtur, unë ekipin kombëtar e shikoja vetëm në televizor. Të jem këtu është një kënaqësi shumë e madhe për mua. Shpresojmë të bëjmë mirë në këto dy ndeshje. Nuk e mendoja, nuk e besoja, por erdhi kjo ftesë. Shpresoj të bëj mirë, dua që të ndihmoj ekipin”.
I pyetur për miqësoren me kombëtaren iberike të Spanjës, Asllani deklaron: “Jo, nuk na tremb Spanja, por është shumë bukur të luash ndaj këtyre skuadrave. Këto tre ditë kanë qenë ditë të bukura, dhe shpresojmë të bëjmë një ndeshje shumë të mirë. Shpresoj që Shqipëria ta bëjë atë hapin cilësor. Unë do bëj maksimumin dhe shpresoj t’i jap një ndihmë shumë të mirë skuadrës”.
Në Serie A janë të shumtë shqiptarët që luajnë dhe Asllani e komenton këtë, kurse në lidhje me ngjashmërinë e tij me ndonjë mesfushor të kombëtares nuk jep një emër. “Kampionati italian është shumë i vështirë dhe kur vjen këtu është pak më lehtë. Atje është një kampionat shumë fizik. Nuk e di më kë ngjaj, këtë gjë mund ta thoni ju që jeni jashtë dhe shikoni futboll. Unë nuk e di këtë gjë, unë mendoj vetëm fushën dhe shpresoj të bëj mirë. Nuk kam një idhull, nuk e di”.
Asllani me siguri dëshiron të luajë kundër Spanjës. A do të jetë titullar? “Nuk i di këto gjëra, këto gjëra i di trajneri. Jam i përqendruar vetëm te stërvitja, te ndeshja. Shpresoj të na vijnë sa më shumë tifozë, këtë mund të them”, shtoi mesfushori i Empolit, i cili është komentuar shumë edhe në merkato.
“Nuk i kam shumë qejf këto zërat e merkatos. Mendoj për Empolin, pasi kam 13 vite që luaj me këtë skuadër. Shpresoj të rrimë në kategori, do bëj gjithçka të ndihmoj skuadrën. Është kënaqësi për mua të luaj me Empolin”, u përgjigj Asllani, i cili në fund për të rinjtë dha një mesazh. “Këmbët në tokë dhe shumë stërvitje, vetëm këto mund të them”, përfundoi mesfushori.