Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikes, Belinda Balluku, deklaroi sot se pavarësisht situatës së vështirë energjetike në vend për shkak të thatësirës, por dhe situatës gjeopolitike, nuk do të mungojë energjia elektrike dhe nuk do të ketë as rritje të çmimit.
“Kushte të mira ne konsiderojmë kur të kemi shira në kaskadën e Drinit. Menaxhimi i KESH ka qenë persistent, është menaxhuar situata mirë. Të gjitha të dhënat që drejtori i KESH sapo dha tregojnë qartë se kjo situatë po menaxhohet, e gjithë ndërmarrja e KEESH është në krye të detyrës.
Ajo që ne garantojmë dhe është e rëndësishme që ta themi është se energjia nuk do të mungojë për qytetarët, qeveria ka marrë përsipër që të mbulojë shpenzimet e shtuara për familjarët dhe biznesin e vogël, kemi mbrojtur dhe 7 mijë për biznesin e mesëm”, tha Balluku në mbledhjen e Komitetit të Energjisë.
Ndërkohë, Balluku ka paralajmëruar të gjithë ujësjellësit që nuk bëjnë pagesa duke thënë se në rast se OSHEE u ndërpret energjinë, shumë fshatra dhe qytete do të mbeteshin pa ujë.
“E rëndësishme është se të gjithë duhet të kontribuojmë. Një nga problemet që kemi pasur për shkak të mospagesave vinte nga ndërmarrjet e ujësjellësve. Këtu kemi edhe një cikël vicioz. Në rast se OSHEE ndërpret energjinë elektrike për këto institucione atëherë shumë fshatra dhe qytete do të mbeteshin pa ujë. Ne kemi marrë ngarkesa të këtij sektori duke mbajtur barrën e debiteve të këqija”, deklaroi ajo.