Në një ceremoni të posaçme në presidencë, Ilir Meta ka vlerësuar deputeten shqiptare të parlamentit kroat, Ermina Lekaj, për kontributin e dhënë për çështjen kombëtare si dhe forcimin e faktorit shqiptar në rajon.
“Një zonjë, një grua shqiptare që në zemër e shpirt ka çështjen kombëtare dhe forcimin e faktorit shqiptar në rajon. Angazhimi parlamentar i saj i ka dhënë një dimension të ri dhe të vlerësuar faktorit shqiptar në radhët e politikës kroate, duke rritur profilin e tij dhe duke ndihmuar njëkohësisht në evidentimin dhe zgjidhjeve të disa problemeve me të cilat përballen pakicat”, tha Meta.
Vlerësimin e presidentit, Lekaj e konsideroi si nxitje për tu angazhuar dhe më shumë për çështjen kombëtare.
“Kjo mirënjohje më jep nder, privilegj e përgjegjësi. Nder më jep sepse marr një mirënjohje nga shteti im amë, nga Shqipëria. Privilegj më jep se jam ndër personat e rrallë, që kam mundësi, që me krenari të pranoj një falënderim të tillë. Përgjegjësi më jep, sepse më nxit dhe sfidon që të vazhdoj me punën dhe veprimtarinë time për çështjen time, krenare”, tha Lekaj.
Lekaj është deputetja e parë shqiptare në parlamentin kroat. Ajo u zgjodh përherë të parë në vitin 2015 si përfaqësuese e pakicave, ndërsa ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në marrëdhëniet bilaterale dhe rritjen e angazhimit kroat për Shqipërinë.