Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi nga foltorja e Kuvendit ngritur shqetësimin për situatën e çmimeve në vend. Kryemadhi tha se 40% e popullsisë shqiptare jeton nën minimumin jetik, ndërsa sipas saj paketa e rezistencës së ndërmarrë nga qeveria nuk mjafton.
Kryetarja e LSI tha para deputetëve se i ka mbërritur një video me ministrat e qeverisë në Dubai, ku siç thekson ajo në fytyrat e tyre nuk shihej dhimbja për luftën apo krizën.
“Të gjitha këto duhet t’ia dimë për nder lartmadhënisë tonë, Zeusit. Është shumë korrekte kur lemë një kohë të limituar për paketën e furnelës së rezistencës. Por nuk mund të zgjidhë dot hallet e shqiptarëve. Produktet e shportës janë rritur me 30%, buka me 20 lekë. Kemi krijuar një bord për naftën, i qan lartmadhënia bordet.
Realisht mbi 40%e popullsisë jeton në minimumin jetik. Një nga koleget më parë përmendi çështjen e pandemisë, tërmetit, por ajo që po kuptojmë sot jo vetëm që nuk kanë pasur asnjë efekt te qytetarë, por janë kthyer në një pastrim parash të jashtëzakonshme,sidomos rindërtimi.
Do të dëshiroja të flisnin pafundësisht se pak më parë më erdhi një video nga Dubai që ishte vizita e qeverisë sonë të famshme. Nuk shikoja dhimbjen e luftës së Ukrainës apo të çmimeve. Shikoja një ekzaltim të jashtëzakonshëm. Shumë mirë se s’ka gjë të keqe, por për moral politik do të ishte më e ndershme të mos tallemi me qytetarët.
Jam e bindur se qytetarët e kuptojmë shumë mirë kur u themi kemi bërë gabim dhe na falni sesa ti mashtrojmë dhe të vazhdojmë të gënjejmë”, deklaroi Kryemadhi.