Extra Jahte, avionë, pallate marramendëse: Pasuria e pazakontë e 5 oligarkëve më të...

Jahte, avionë, pallate marramendëse: Pasuria e pazakontë e 5 oligarkëve më të afërt të Putin

Të vërtetosh pronësinë e jahteve, pallateve dhe avionëve të oligarkëve rusë nuk është e lehtë, pasi pronarët e tyre shpesh mundohen t’i mbajnë të fshehura. Që prej nisjes së luftës në Ukrainë, SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe vendet e Perëndimit, kanë vendosur sanksione të ashpra edhe ndaj këtyre supermiliarderëve. OCCRP (Organized Crime and Corruption Reporting Project) dhe partnerët e saj, gjurmuan të dhëna të ndryshme për të gjetur asetet që u përkisnin figurave kyçe, të afërta me Vladimir Putin. Pjesë e listës janë gjithashtu asete në pronësi të familjarëve të këtyre oligarkëve.

Roman Abramovich, biznesmen dhe oligark miliarder

Vlera minimale e njohur e aseteve 8 055 989 267 dollarë

Një figurë e rëndësishme në Rusi që nga fundi i viteve 1990, Abramovich ka qenë deputet dhe guvernator i rajonit Chukotka, nga viti 2000 deri në 2008. Si një nga njerëzit më të pasur të Rusisë, ai e ngriti pasurinë e tij duke blerë asete të naftës ruse gjatë valës së privatizimit që pasoi fundin e Bashkimit Sovjetik. Para se të sanksionohej në mars 2022, pasuria e tij neto u raportua të ishte 12.3 miliardë dollarë.

Gjithsesi, ai u bë i njohur si pronar i Klubit të Futbollit Chelsea, të cilin njoftoi se do ta shiste sapo nisi pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia. Abramovich ka mohuar me forcë akuzat se është i afërt me presidentin rus Vladimir Putin dhe qeverinë e tij.

Alisher Usmanov, biznesmen miliarder dhe oligark

Vlera minimale e njohur e aseteve 3 434 052 500 dollarë

I lindur në Uzbekistan, Usmanov, dihet se është i afërt me presidentin rus Vladimir Putin, me të cilin dyshohet se ka lidhje financiare, si dhe me ish-presidentin Dmitry Medvedev, i cili thuhet se ka përfituar nga përdorimi i rezidencave luksoze të Usmanov.

Disa senatorë amerikanë e kanë përshkruar atë si “një nga oligarkët më me ndikim politik në Rusi, me lidhje të ngushta me Kremlinin”. Një përfaqësues i Usmanov tha për OCCRP, se ai kurrë nuk ka përfituar nga qeveria ruse dhe as nga privatizimi i aseteve shtetërore, dhe se kapitali i tij është rritur vetëm përmes investimeve transparente dhe menaxhimit të aseteve.

Genadi Timchenko, biznesmen dhe oligark miliarder

Vlera minimale e njohur e aseteve 70 500 000 dollarë

Një mik prej kohësh i Putinit, i cilësuar edhe si një nga të besuarit e tij, Timchenko është oligarku i gjashtë më i pasur i Rusisë. Ai bashkëthemeloi një nga kompanitë më të mëdhaja të naftës së papërpunuar, Gunvor, i cili deri vonë tregtonte pjesën më të madhe të naftës ruse dhe është aksioner në Bank Rossiya.

Kanë qarkulluar zëra se Timchenko është i lidhur financiarisht me Putinin. Sipas Departamentit Amerikan të Thesarit, i cili e sanksionoi atë për këto lidhje në vitin 2014, “aktivitetet e Timchenkos në sektorin e energjisë kanë qenë të lidhura drejtpërdrejt me Putinin”. Putini ka investime në Gunvor dhe mund të ketë akses në fondet e Gunvor.

Oleg Deripaska, biznesmen dhe oligark miliarder

Vlera minimale e njohur e aseteve 5 708 521 772 dollarë

Sipas kabllogrameve diplomatike amerikane të zbuluara në vitin 2006, manjati i aluminit dhe aleati i ngushtë i presidentit rus, Vladimir Putin, me të cilin thuhet se presidenti rus takohej rregullisht. SHBA-ja gjithashtu beson se ai ka pastruar para në emër të presidentit.

Ai është akuzuar për vite me radhë se ka lidhje me krimin e organizuar. Pas sanksionimit të tij në vitin 2018, autoritetet amerikane thanë se ai ishte akuzuar për kërcënime ndaj rivalëve të korporatave dhe urdhërimin e vrasjes së një biznesmeni.

Sekretari i shtypit i Deripaska-s, tha për OCCRP se ai kurrë nuk ishte përfshirë në ndonjë skemë të paligjshme.

Igor Shuvalov, zyrtar i lartë rus

Vlera minimale e njohur e aseteve 102 500 000 dollarë

Pasi shërbeu në role të ndryshme të qeverisë ruse që nga fundi i viteve 1990, si ndihmës i Presidentit Vladimir Putin, Shuvalov u bë i njohur kur u emërua zëvendëskryeministër në vitin 2008. Ai qëndroi në këtë pozicion për një dekadë përpara se të largohej nga qeveria, për të marrë kryesimin e korporatës shtetërore, Vnesheconombank.

Stili ekstravagant i jetesës së tij, pasuria private dhe marrëveshjet e shumta me kompani të ndryshme, janë mbuluar në mediat ndërkombëtare. Sipas Fondacionit Kundër Korrupsionit të Alexei Navalny, Shuvalov “ishte thelbësor në krijimin e sistemit të korrupsionit shtetëror, i cili ka arritur të dominojë institucionet e vendit”.