Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, tha se SHBA do të përgjigjet nëse Vladimir Putin përdor armë kimike, por theksoi se përgjigjja do të varet nga mënyra se si do të përdoren ato.
“Nuk kemi informacione nëse Rusia po përgatitet për të përdorur armë kimike, por do të përgjigjemi nëse ndodh kjo gjë. Përgjigjja do të varet nga mënyra se si do të përdoren këto armë kimike”, tha Biden në një konferencë shtypi në selinë e NATO-s.
Biden tha më tej se SHBA do t’i japë 2 miliardë dollarë ndihmë ushtarake Ukrainës, ku përfshihen sisteme antiajrore, municione dhe armë të tjera. Gjithashtu, shtoi se SHBA do t’i japë Ukrainës edhe 1 miliard dollarë në ndihma humanitare.
Biden gjithashtu bëri me dije se kishte paralajmëruar presidentin kinez Xi Jinping, se nëse do të ndihmonte Rusinë, atëherë do të vendoste në rrezik marrëdhëniet ekonomike me SHBA-në dhe BE-në.
Në fund të fjalës së tij Biden theksoi se vendet perëndimore duhet të qëndrojnë “plotësisht të bashkuar”.