Bota Çfarë roli po luan çeçeni Kadyrov në luftën e Ukrainës dhe pse...

Çfarë roli po luan çeçeni Kadyrov në luftën e Ukrainës dhe pse nga armik u bë mik i Putin?

Mariya Petkova – Al Jazeera

Vetëm dy ditë pas fillimit të agresionit rus të Ukrainës, Ramzan Kadyrov, presidenti i Republikës çeçene, njoftoi se forcat e tij do t’i bashkohen luftës.

Që atëherë, udhëheqësi çeçen ka postuar rregullisht përmbajtje në mediat sociale për ushtarët çeçenë të cilët dyshohet se marrin pjesë në aktivitete ushtarake dhe humanitare në Ukrainë.

Dhjetë ditë më parë ai postoi një video të tij në një dhomë plot me ushtarë. Atje ai thotë se është me forcat çeçene pranë kryeqytetit Kiev. Ky pretendim nuk mund të konfirmohej në mënyrë të pavarur, dhe zëdhënësi i Kremlinitm Dmitry Peskov tha se “nuk ka informacion” se Kadyrov është në Ukrainë.

Kjo nuk është hera e parë që forcat çeçene janë përfshirë në konflikte që përfshijnë ushtrinë ruse. Ata ishin gjithashtu në luftën në Gjeorgji në vitin 2008, si dhe në fazën e parë të konfliktit në Ukrainë në 2014.

Megjithatë, vëzhguesit theksojnë se, pavarësisht nga reputacioni i çeçenëve si luftëtarë të mirë, ata nuk luajtën një rol të rëndësishëm në fushën e betejës në Ukrainë.

Prania e tyre perceptohet si një ushtrim PR, duke reflektuar si ambiciet politike të Kadyrov-it ashtu edhe nevojën për propagandë në Kremlin.

Kush është Ramzan Kadyrov?

Kadyrov erdhi në pushtet në vitin 2007, tre vjet pasi babai i tij, ish-presidenti çeçen Ahmad Kadyrov, u vra. Të dy luftuan në Luftën e Parë çeçene (1994-1996) në anën e Forcave të Pavarësisë, por në Luftën e Dytë Çeçene (1999-2000) ata ndryshuan anë dhe ndihmuan ushtrinë ruse.

Kështu, Çeçenia humbi pavarësinë e saj të shkurtër dhe u bë një nga rajonet e Rusisë.

Që nga ardhja në pushtet, Kadyrov është marrë me opozitën politike, duke u akuzuar madje se ka urdhëruar tortura dhe ekzekutime pa gjyq.

Një seri vrasjesh të gazetarëve dhe aktivistëve rusë kanë qenë të lidhura me Çeçeninë, duke përfshirë vrasjet e Ana Politkovskaya-s dhe Natalia Estemyrova-s, në vitin 2006 dhe në vitin 2009, të dyja kritike të Kadyrov-it.

Shumë nga kritikët e tij, të cilëve u është dhënë azil jashtë vendit, gjithashtu janë sulmuar dhe disa janë vrarë, si Sulim Yamadayev, një ish-komandant ushtarak çeçen dhe ish-truproja e Kadyrov-it, Umar Israilov.

Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj presidentit çeçen në vitin 2017, pasi autoritetet amerikane gjithashtu e lidhën atë me vrasjen e Boris Nemtsov-it, liderit të opozitës dhe kritikut të Vladimir Putinit.

Moska nuk pati një reagim të madh ndaj represionit të Kadyrov-it në Çeçeni. Sipas gazetarit rus Konstantin von Eggert, kjo po ndodh sepse qëllimet politike të Putinit dhe Kadyrov-it përkojnë mes tyre.

“Rusia nuk ka fituar dy luftëra çeçene. Rusia humbi. Kishte një marrëveshje jozyrtare që Rusia do të financonte Çeçeninë dhe do ta linte atë të drejtonte biznesin e saj në këmbim të paqes,” tha Eggert.

Besnikëria ndaj Putinit

Gjatë mandatit të tij 15-vjeçar, Kadyrov u paraqit si një garantues i paqes, dikush që merret me separatistët dhe nis operacionet “anti-terroriste”. Ai gjithashtu tregoi rregullisht përkushtimin e tij ndaj Putinit.

“Roli i Kadyrov-it që kur u bë president ka qenë të tregojë besnikëri ndaj Putinit … dhe të shërbejë si një kërcënim për armiqtë e Putinit,” tha Eggert.

Në këmbim, Çeçenia përfitoi financiarisht nga Rusia.

Fondet ruse gjithashtu shkonin rregullisht në Fondin Ahmad Kadyrov, me kontribute të detyrueshme mujore nga pagat e punonjësve çeçenë në kompanitë shtetërore dhe private.

Fondi, i cili është nën sanksionet e SHBA-së, shihet si mjeti financiar i Kadyrov-it, të cilin e ka përdorur për projekte të ndryshme personale, duke përfshirë dhe pagesën e aktorëve perëndimorë për të marrë pjesë në festën e ditëlindjes së tij.

Angazhimi i forcave çeçene në Ukrainë është një tjetër akt i besnikërisë së Kadyrov-it ndaj Kremlinit.

Në një video të publikuar më 26 shkurt, ai shprehet: “Presidenti ka marrë vendimin e duhur dhe ne do të zbatojmë urdhrat e tij në çdo rrethanë”.

Kadyrov pohoi se dhjetëra mijëra vullnetarë çeçenë ishin gati të shkonin në Ukrainë.

Media ruse RT raportoi se rreth 12,000 luftëtarë çeçenë janë gati të shkojnë në Ukrainë, por nuk ka asnjë konfirmim se sa kanë shkuar në të vërtetë atje.

Ata nuk marrin pjesë në beteja

Sipas analistit Harold Chambers, forcat çeçene të lidhura me Kadyrov-it janë pjesë e një kolone që shkon në Kiev dhe janë gjithashtu në Mariupolin e rrethuar.

“Atyre u jepen qëllime konvencionale në Ukrainë, si neutralizimi i udhëheqjes ukrainase, parandalimi i dezertimit dhe të ngjashme, ndërsa luajnë një rol kyç në fushatën e luftës psikologjike të Putinit,” tha Chambers për Al Jazeera-n.

Edhe pse Kadyrov tha se forcat çeçene po merrnin pjesë në luftime, pretendimi u hodh poshtë nga separatistët pro-rusë dhe disa vëzhgues.

Igor Girkin, një ish-komandant i separatistëve pro-rusë në Donetsk, tha se ushtarët çeçenë nuk po merrnin pjesë në luftimet në Mariupol. Komandantët e tjerë thanë se erdhën shumë dobët të pajisur, pa mbështetje ushtarake.

Ruslan Leviev, themeluesi i Ekipit të Inteligjencës së Konfliktit, i cili harton aktivitetet ushtarake ruse, i tha Al Jazeera-s se ai nuk kishte parë asnjë provë që forcat çeçene po merrnin pjesë në luftime.

“Ata qëndrojnë prapa vijës së frontit dhe bëjnë video të bukura, duke bërtitur ‘Akhmat – forcë’ dhe ‘Allahu Ekber’”, tha ai.

Luftëtarë të tjerë çeçenë i janë bashkuar palës ukrainase. Ata janë pjesë e një batalioni vullnetarësh që kanë luftuar edhe më herët në Ukrainë. Ata janë çeçenë që kundërshtojnë hapur Kadyrov-in, por nuk janë takuar ende me forcat e tij në fushën e betejës.

Fushata PR

Kadyrov gjithashtu poston në mediat sociale se ushtarët çeçenë po shpërndajnë ndihma humanitare, të cilat ai pretendon se janë blerë me para nga Fondi Ahmad.

“Ekziston një detyrë e qartë komunikimi ose PR që trupat çeçene duhet të përmbushin në Ukrainë,” i tha Al Jazeera-s Grigory Shvedov, redaktor i Kavkazkiy Uzel.

Sipas tij, angazhimi i forcave çeçene në Ukrainë është një shans për Kadyrov-in që të tregojë se është i dobishëm pasi dhuna në Kaukazin e Veriut është ulur, duke justifikuar kështu financimin nga Moska.

Kjo po ndodh në një kohë të sanksioneve të rënda të vendosura ndaj Rusisë, që mund të nënkuptojë se ajo nuk do të jetë në gjendje të financojë qeveritë e saj rajonale, përfshirë atë çeçene.

Megjithatë, strategjia e Kadyrov-it duket se ka sukses. Më 16 mars, Putin e falënderoi për shërbimet e tij, duke shtuar se ai “përshëndeti djemtë e tij”.

“Kjo tregon se PR nuk është vetëm një fushatë çeçene, por diçka që po kërkohet në nivelin më të lartë”, thotë Shvedov.