Dy super-jahtet e miliarderit rus Roman Abramovich, i cili është vënë në shënjestër të sanksioneve perëndimore për marrëdhëniet e tij me Vladimir Putin, janë ankoruar në ujërat “të sigurta” të Turqisë jugperëndimore, përballë ishujve grekë.
Ato janë: Eklipsi (162 metra i gjatë), i cili të martën u ankorua në brigjet e Marmarisit, pranë Rodosit, si dhe Solaris (139 metra i gjatë), i cili mbërriti u ankorua të hënën në qytetin e Bodrumit.
Dy jahtet luksoze, që mbajnë flamurin e Bermudës, vlejnë më shumë se 1.2 miliardë dollarë. Dhe për të mos u konfiskuar, ato duhet të ndodhen jashtë territorit btë BE-së, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara.
Kjo është arsyeja pse pronari i Chelsea ka zgjedhur Turqinë si një strehë të sigurt për jahtet e tij, pasi shteti fqinj deri më tani nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë apo personave të lidhur ngushtë me Putinin.
“Jahtet ruse që janë sanksionuar mund të udhëtojnë lirshëm dhe të operojnë jashtë ujërave territoriale të BE-së, Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA-së”, tha për CNBC analisti i Keystone Law, Benjamin Maltby.
Edhe pse Ankaraja e ka dënuar pushtimin rus, ajo ka refuzuar të vendosë sanksione ndaj Moskës, duke e bërë atë një “parajsë” për manjatët rusë që po “persekutohen” në vendet perëndimore, komentojnë mediat greke.
“Ai dëshiron të bëjë disa punë dhe ndoshta të blejë disa asete,” i tha një burim Reuters, të cilit iu kërkua të komentonte vizitat e fundit të Abramovich-it në Stamboll.
Duhet theksuar se manjati, pasuria e të cilit i kalon 7 miliardë dollarët, është në negociata për shitjen e Chelsea-t, me raportime në shtypin turk që flasin për një interes të mundshëm për të blerë pikërisht një ekip vendas futbolli.