Presidenti Ilir Meta ka dekretuar ligjin për sigurimet shoqërore për njohjen e pensioneve mes Shqipërisë dhe Kosovës.
“Krijimi i mundësive të përfitimit të pensioneve nga shqiptarët që jetojnë e punojnë në Kosovë, si dhe për shtetasit kosovarë, të cilët vijnë për të punuar në Shqipëri, është i vonuar. Mes Kosovës dhe Shqipërisë, nuk duhet të ketë asnjë barrierë që pengon qytetarët nga të dy anët e kufirit, të përfitojnë nga skemat e mbrojtjes shoqërore, duke respektuar parimin e trajtimit të barabartë, me synimin parësor për mirëqenien më të lartë dhe trajtimin më të mirë të tyre”, thuhet në njoftimin e institucionit të Presidentit të Republikës.
Ndër të tjera, Meta dekretoi edhe ligjin për rregullat e regjimit të trafikut lokal të kufirit, që i hap rrugë lehtësimit të procedurave dhe të masave të lidhura me regjimin e trafikut kufitar lokal e të lejeve për këtë qëllim përgjatë kufirit.
“Për të mundësuar lehtësimin e qarkullimit të banorëve të zonave kufitare, nevojitet që autoritetet shqiptare të marrin masa për nxjerrjen e akteve rregullatorë në zbatim të marrëveshjes, duke shmangur çdo lloj burokracie”, njofton Presidenti.