Edy Reja foli në optimizëm në konferencën për shtyp para ndeshjes me Gjeorgjinë, teksa zbuloi se do të ketë ndryshime të shumta në formacion. Lojtarët që luajnë në Spanjë nuk do të udhëtojnë drejt Shqipërisë për ndeshjen me Gjeorgjinë.
Duke iu kthyer ndeshjes miqësore me Spanjën, trajneri i kuqezinjtë ngulmoi se skuadrës sonë i janë mohuar dy penallti të pastra.
A keni një mesazh për tifozët për ndeshjen me Gjeorgjinë?
Nuk duhet t’u them asnjë tifozëve, sepse janë përgjigjur shumë mirë sa herë që kemi luajtur në Shqipëri, sidomos tani që është krijuar përshtypja që kjo skuadër po bën paraqitje të mira, në veçanti ndaj Spanjës. Futbollistët janë të vetëdijshëm që mund të përballojnë skuadra si Spanja, që është favorite për të fituar Botërorin. Paraqitja e fundit është motiv për pasur entuziazëm. Na vjen keq për atë që na ndodhi në minutën e 90-të, sepse me pak më shumë përqendrim mund të merrnim një rezultat që për ne do të kishte qenë shumë i rëndësishëm për moralin. Djemtë bënë gjithçka mirë, nuk mund t’u thoshim asgjë djemve, ishin dy penallti neto që nuk na u dhanë. Po të kishte VAR, do të jepeshin dy penallti për ne. Edhe goli i tyre i dytë është i dyshimtë për pozicion jashtë loje. Ishte minimal, por gjithsesi jashtë loje. Kështu që merr më shumë vlerë paraqitja ndaj Spanjës. Ishte thjesht miqësore, sepse ndryshe do të kishte polemika të forta.
Shpresoj që të mos ndodhin më gabime të tilla, sepse nuk është hera e parë që e pësojmë. Unë duhet të vlerësoj paraqitjen e futbollistëve dhe jam shumë i kënaqur me atë që po bëjmë. Na mungon edhe një hap i vogël përpara, sidomos sa i përket vëmendjes, sepse pësojmë gola që mund t’i evitojmë dhe mund t’i shfrytëzojmë më mirë situata në sulm.
Do të ketë ndryshime në formacion në ndeshjen e radhës? Ç’ndeshje prisni?
Do të ketë shumë ndryshime, sepse miqësoret shërbejnë për t’i vlerësuar të gjithë futbollistët. Të shohim kush është mirë e kush është keq. Duhet të vlerësohej gjendjen e gjithsecilit. Ata që ndihen të lodhur nuk do të luajnë. Do të ndryshoj krejtësisht mesfushën. Bare ka një problem në pulpë dhe mjeku më ka thënë që nuk duhet rrezikuar as duke e nxjerrë në stërvitje, pra qëndron këtu. Edhe Uzunin do ta lëmë këtu, sepse ka ndeshje shumë të rëndësishme me Granadan. Përderisa qëndroi edhe Balliu me Baren… Unë kam katër “pyka” kështu që nuk është problem. Duhet të kemi bashkëpunim edhe me klubet. Gjeorgjia është një skuadër e fortë, ka mposhtur 2-0 Suedinë, ka fituar ndaj Bosnjës. Është një skuadër që vrapon shumë dhe nuk është keq as teknikisht. Është e mirorganizuar, ndaj e parashikoj ndeshje të vështirë për ne. Jo më kot kisha kërkuar dy miqësore të forta, që na ndërgjegjësojnë për mundësitë tona dhe që djemtë të fitojnë përvojë. Kemi nevojë për ndeshje të këtij niveli, që na japin mundësinë për të aktivizuar 20 lojtarë dhe për të kuptuar formën e gjithsecilit.
A keni frikë që emri i kundërshtarit mund të bëjë që lojtarët të mos impenjohen si ndaj Spanjës?
Sa herë që jemi ritakuar e kam theksuar që nuk mund ta ulim vëmendjen, sepse për Shqipërisë miqësoret nuk janë miqësore, duhet të konsiderohen si ndeshjet zyrtare. Kemi nevojë e të kemi motiv gjithmonë, edhe në stërvitje. Mendoj që skuadra po përmirësohet, kush do të hyjë në fushë do të japë maksimumin.
Cikalleshi-Broja do të jetë dyshja përfundimtare e sulmit?
Jo, absolutisht. Janë dy lojtarë që tentojnë portën, por edhe të tjerët po bëjnë mirë. Manaj po luan dhe Vrioini ka gjetur më në fund vazhdimësinë, ka shënuar 13 gola në Austri, është në formë të mirë. Dua t’i vlerësoj të gjithë, kështu që nesër do të kenë mundësi të luajnë. Sigurisht që Broja dhe Cikalleshi mbeten lojtarë shumë të rëndësishëm. Po shikoj edhe Muçin apo sulmues të tjerë te U-21, të cilët po bien në sy. Pra, po shohim edhe nga e ardhmja, sepse objektivi unë kryesor, përveçse të bëjmë sa më mirë në Nations League, është të kualifikohemi në “Euro 2024”.
Ndaj Spanjës na u desh të mbroheshim, por kundër Gjeorgjisë duhet të sulmojmë…
Sigurisht që Gjeorgjia është një kundërshtar krejt ndryshe, por kemi parasysh që është një skuadër që mbrohet mirë, vrapon shumë dhe është e rrezikshme në kundërsulm. E rëndësishme për ne është që të shfrytëzojmë karakteristikat e lojtarëve që kemi dhe të marrim maksimumin nga ata. Është shumë e rëndësishme që të bëjmë një ndeshje teknikisht perfekte, të jemi shumë të përqendruar në fushë, të bëjmë sa më pak gabime dhe të shfrytëzojmë sa më shumë raste dhe hapësirat që mund të na lërë Gjeorgjia në momente të ndryshme të lojës. Djemtë tashmë e dinë dhe janë të qartë për mënyrën se si duhet ta interpretojnë këtë ndeshje dhe se si duhet të luajnë. Gjithsesi Spanja është i vetmi ekip në botë që ka këtë filozofi loje, një ekip që mund ta prekë topin për 50 herë dhe ti nuk e sheh fare. Gjeorgjia është ndryshe nga Spanja, por nuk është aspak një rival më i dobët. Është një ekip i mirë dhe duhet të bëjmë një ndeshje të kujdesshme. Gjeorgjia ka pikat e forta dhe të dobëta por për ne është e rëndësishme që të shfrytëzojmë çdo moment dhe të finalizojmë sa më mirë momentet që na paraqiten.