Një biznes që shërbente si bar-restorant-hotel është zbuluar nga policia si ambient për të kultivuar bimë narkotike kanabis sativa.
Ambienti i përshtatur për kultivim droge ndodhet në Malësi të Madhe dhe ishte marrë me qira, nga dy persona të cilët janë shpallur në kërkim.
Aktiviteti kriminal u zbulua gjatë një kontrolli të befasishëm të policisë në Rrugën Culajve, pas informacioneve të marra në rrugë operative.
Policia thotë se biznesi bar-restorant hotel në pronësi të F.E. i ishte dhënë me qira shtetasit K.N. Ky i fundit së bashku me A.S. e kishin përshtatur këtë ambient për kultivimin e lëndëve narkotike.
Në katin e parë dhe të dytë të godinës u gjetën dhe u sekuestruan 300 bimë narkotike të kultivuara në vazo, 1.3 kg kanabis dhe 230 llamba me stabilizator.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të ambientit është konstatuar edhe lidhje e paligjshme e energjisë elektrike.
K.N. dhe A.S. u shpallën në kërkim nga policia dhe akuzohen për “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Vjedhja e energjisë elektrike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Ndërsa pronari i hotelit që e kishte dhënë me qira u procedua penalisht në gjendje të lirë. Gjithashtu u proceduan penalisht në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim, 4 punonjës të OSHEE-së; T. Zh., 45 vjeç, banues në fshatin Hot i Ri, Shkodër, koordinatori i zonës; S. H., 58 vjeç, banues në fshatin Grudë Fushë, Malësi e Madhe, shefi i ekipit të OSHEE-së; G. B., 52 vjeç, banues në fshatin Çesme, Malësi e Madhe, elekticist pranë OSHEE-së; R. B., 22 vjeç, banues në Malësi të Madhe, lexues i aparatit matës.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.