Një makinë në lëvizje është qëlluar me armë të martën pasdite në Elbasan.
Sipas Euronews Albania, ndonëse nuk ka ende një informacion zyrtar, ka dyshime se brenda makinës udhëtonte i shumëkërkuari Talo Çela.
Këto dyshime vijnë prej mekanizmit të përdorur dhe zonës ku ka ndodhur ngjarja, ku ka pasur dhe shumë atentate të tjera.
Policia njoftoi se personat që ndodheshin brenda janë larguar. BMW-ja rezulton me targa të vjedhura në Durrës në prill të vitit 2021.
Forcat RENEA i janë bashkuar hetimeve të policisë së Elbasanit. Brenda BMW-së janë gjetur 5 litra benzinë dhe një kallashnikov.
Burime nga policia konfirmojnë se makina është qëlluar rreth 20 herë, nga një mjet tjetër në lëvizje.
Talo Çela bashkë me Nuredin Dumanin, Altin Ndocin, Klevis Allën, Besian Xhixhën dhe Enver Didën akuzohen për vrasjen e dy vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhiajt, si dhe vrasjen e Dorian Shkozës dhe Anxhelo Avdias, të ndodhura në Durrës në vitin 2019 brenda një harku kohor prej dy javësh.
Një tjetër akuzë që rëndon ndaj Talo Çelës, i cili bashkë me Dumanin konsiderohen krijuesit e grupit të strukturuar kriminal, është ajo e vrasjes së mbetur në tentativë ndaj Irfan Hazizit.
Talo Çela është personi më i kërkuar aktualisht nga policia dhe së bashku me Nuredin Dumanin prej 2 vitesh janë në arrati.