Edi Reja analizoi barazimin pa gola ndaj Gjeorgjisë. Trajneri i kombëtares ka treguar se çfarë shkoi mirë dhe çfarë nuk funksionoi. Në fund edhe një koment për Armando Brojën, i cili u zëvendësua në pushim.
“Pas ndeshjes me Spanjën motivacionet ishin krejt të ndryshme. Sigurisht kur ke ndeshje të tilla kaq afër, duhet të bësh rotacion. Jam i kënaqur me Asllanin, ka treguar personalitet, nuk ka frikë në fushë. Po përpiqem të gjej lojtarë të rinj, ti afroj dhe ta bëj skuadrën më kompetitive. Në miqësore është e rëndësishme të fitosh lojtarë të rinj. Duhet pak kohë, për t’u integruar. Edhe Vrioni bëri mirë, por i duhet kohë. Me kalimin e kohës, do të përpiqemi të afrojmë edhe ndonjë lojtar tjetër, për ta bërë më kompetitive skuadrën”, tha Reja.
Më tej ai foli edhe për Brojën dhe Asllanin. “Broja nuk ishte në ditën e tij më të mirë. Kishte probleme në kavilja. Kur ndez dritat është i papërmbajtshëm, por nuk është lojtar për miqësore. Ka nevojë për stimuj më të mëdhenj. Për skuadra më cilësore. Edhe Asllani edhe Gjasula luajnë në të njëjtin pozicion, përpara mbrojtjes. Ka pasime shumë të mira. Ndonjëherë është shumë i shpejtë dhe lojtar i rëndësishëm. Do të ketë një karrierë të madhe sipas meje”.
Sa i përket skemës me 3 mbrojtës, Reja ja kalon “fajin” Gjimshitit, teksa thotë se ashtu i pëlqen mbrojtësit të Atalanta-s. “Mund edhe të provoja diçka ndryshe, por nuk kisha karakteristikat e duhura, për të bërë ndryshimet e duhura. Duhet të kesh 2 skuadra të përshtatshme për të bërë prova. Ndoshta në një ndeshje tjetër, me siguri do të bëj diçka ndryshe. Gjimshiti ka qejf të luajë me 3 në mbrojtje”.
Trajneri befason edhe më shumë kur thotë se lojtarët duhet ta vendosin vetë se kush duhet të ekzekutojë goditjet e dënimit. “Janë 2-3 lojtarë që godasin, Çekici, Manaj dhe Bajrami. Dikush është me egoist dikush më pak. Duhet ta zgjidhin mes tyre”.